Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti mori pjesë në hapjen e punimeve të Konferencës së 10 shkencore “Java e Albanologjisë “, të organizuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë.
Me këtë rast, zv/ministri Sahiti, në emër të ministrit Bytyqi, ka uruar punimet e kësaj Konference jubilare (10) me ç`rast theksoi se, Instituti i Albanologjisë dhe Instituti i Historisë, por edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, janë tri qendrat më të rëndësishme, themeltare të shtetësisë së Kosovës.
Zv/ministri Sahiti tha se, organizimi i kësaj konference tradicionale ka rëndësi të veçantë për studiuesit dhe punonjësit shkencor të Institutit, të cilët do të kenë mundësinë të prezantojnë të arriturat e tyre, në diciplina të ndryshme shkencore.
Më tej, zv/ministri Sahiti theksoi përkushtimin e ministrit Bytyqi dhe të MAShT-it, për të qenë afër institucioneve dhe punonjësve shkencor, në përkrahje të angazhimeve dhe punës së tyre të vyer.
Në fund, zv/ministry Sahiti u shpreh se, kjo konferencë dhe shumë aktivitete të ngjashme anë e kënd Kosovës po mbahen edhe në shenjë të përvjetorit të 20 të çlirimit të vendit nga pushtuesi shekullor serb dhe uroi që konferenca të arrijë suksesin e dëshiruar.
Ndryshe, Instituti Albanologjik gjatë vitit 2018 ka botuar 21 vepra të reja shkencore, ndërsa gjatë kësaj konference, nga punonjës të ndryshëm shkencorë, vendorë e ndërkombëtarë do të paraqiten 95 kumtesa, në 5 sesione.
Last modified: 9 Qershor, 2022