MASHT

ZV/MINISTRI SAHITI MORI PJESË NË CEREMONINË E FILLIMIT TË VITIT TË RI AKADEMIK NË UP

1 Tetor, 2018

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, mori pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik 2018/19 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Me këtë rast, zv/ministri Sahiti, në fjalën përshëndetëse, ndër tjera tha se fillimi i vitit të ri akademik është i veçantë për të gjithë, por në veçanti për studentët e rijnë.

“Uroj që të keni përzgjedhur drejtimin e duhur për të zhvilluar shkathtësitë tuaja profesionale, sepse nga kjo përzgjedhje dhe angazhimi i juaj studimor ndër vite varet e ardhmja juaj, por edhe cilësia e kontributit që mund dhe duhet të jepni për vendin”, tha zv/ministri Sahiti, ndërsa i ka përgëzuar profesorët për mundin dhe kontributin e tyre ndër vite në Universitetin e Prishtinës, për të cilin tha se gjendet në themelet e shtetndërtimit të Kosovës.

Zv/ministri Sahiti, gjithashtu tha se, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në vazhdimësi po angazhohet në përmirësimin e gjendjes në të gjitha nivelet e arsimit në bashkëveprim me Institucionet e Arsimit të Lartë, ndërsa theksoi se aftësimi profesional, njohuritë e fituara në këtë nivel shkollimi, janë faktorë i rëndësishëm edhe për krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenies në vendin tonë.

Zv/ministri Sahiti u shpreh se trendet e zhvillimit evropian, në të cilin detyrimisht do të integrohet edhe arsimi i lartë i Kosovës, janë reflektim i vetëdijes që vetëm me energji të përbashkëta mund të arrihen rezultate të larta.

“Duke punuar së bashku për avancimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe promovimin e dijeve, të arriturat e mendimit shkencor, si dhe vlerave universale humane, uroj që ky vit akademik të jetë i suksesshëm në realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta”, tha në fund të fjalës uruese  zv/ministri Sahiti.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.