MASHT

ZV/MINISTRI SAHITI MORI PJESË NË CEREMONINË E CERTIFIKIMIT TË 150 TË RINJVE NGA PROGRAMI “COCA-COLA PËRKRAHË RININË”

20 Nëntor, 2018

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të organizuar në kuadër të programit “Coca-Cola përkrahë Rininë”, ku janë certifikuar 150 të rinj, të cilët kanë ndjekur trajnimin gjatë muajve tetor dhe nëntor 2018, program ky që i fuqizon ata për tregun e punës dhe për vetëpunësim.

Me këtë rast, zv/ministri Sahiti ka theksuar faktin se Kosova ende përballet me papunësi në shkallë të lartë, edhe pse ka rini me potencial dhe përgatitje akademike, ndërsa theksoi se vizioni i Qeverisë është për një sistem arsimor gjithëpërfshirës, bazuar në parimet e të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe duke ofruar arsim cilësor për të gjithë.

“Në aspektin e arsimit, fokusi është në përmirësimin e relevancës së programeve shkollore ndaj nevojave të tregut të punës, sigurimin sistematik të punës praktike me cilësi të lartë dhe praktikë profesionale dhe specifike për kontekstin e Kosovës”, tha zv/ministri Sahiti, ndërsa theksoi se është e domosdoshme ndërmarrja e veprimeve konkrete që rrisin rëndësinë e arsimit formal dhe joformal, pasi që ky arsimim është i lidhur drejtpërdrejtë me ekonominë.

Zv/ministri Sahiti theksoi rëndësinë e sektorit privat në këto përpjekje të përbashkëta, prandaj përshëndeti investimin që ka bërë Coca-Cola HBC për aftësimin e të rinjve në Kosovë.

Zv/ministri Sahiti theksoi edhe faktin se me qëllim të fuqizimit të programit është arritur bashkëpunimi me shumë institucione, në mesin e të cilave edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.