MASHT

ZV/MINISTRI PUPOVCI THA SE PROCESI MËSIMOR PO VAZHDON TË ZHVILLOHET SIPAS SKENARIT RIKTHIMI

12 Nëntor, 2021

12 Nentor 2021

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, në konferencën e rregullt për media ka folur në lidhje me mbarëvajtjen e procesit mësimor, publikimin e listës së përfituese të bursave STEM, vendimin për organizimin e mësimit në shkollat të cilat të dielën do të jenë qendra të votimit, konkurset në proces për bursa dhe Marrëveshjen e Mirëkuptimit për Programin Fulbright.

Zëvendësministri Pupovci me këtë rast tha se, bazuar në të dhënat e Inspektoratit të Arsimit, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt, pra sipas skenarit Rikthimi që nënkupton prani fizike në shkollë dhe orar të plotë.

Pupovci ka folur edhe për publikimin e listës së përfitueseve të bursës STEM, ku

1315 studente kanë aplikuar në thirrjen e publikuar, ndërsa Komisioni vlerësues i MAShTI-t ka konstatuar se 812 prej tyre i kanë përmbushur kriteret e kërkuara të thirrjes për mbështetje financiare të studenteve vajza/gra në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM), në vlerë prej 1 mijë euro për secilën.

Ndërsa, sa i përket vendimit për organizimin e mësimit të hënën, Pupovci ka thënë se, MAShTI ka nxjerrë vendim për organizimin e procesit mësimor më datën 15 nëntor 2021, ku i ka njoftuar komunat që shkollat të cilat më datën 14 nëntor do të jenë qendra të votimit, mësimin më datën 15 nëntor ta zhvillojnë sipas skenarit C, ndërsa shkollat të cilat nuk janë qendra të votimit, procesin mësimor ta vijojnë sipas planifikimeve paraprake.

Ndër të tjera, zv/ministri Pupovci ka bërë të ditur se, më 8 nëntor ka përfunduar afati i aplikimit për bursa për studentët elitarë të  universiteteve publike në nivelet bachelor dhe master, për vitin akademik 2021/2022 dhe tashmë është formuar komisioni, i cili do t’i shqyrtojë shumë shpejt aplikacionet dhe lista me emrat e përfituesve të bursave do të publikohet në veb faqen zyrtare të MAShTI-t.

Duke folur për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit për Programin Fulbright të Shkëmbimit Akademik ShBA – Kosovë, e cila është nënshkruar mes MASHTI-t dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, Pupovci ka theksuar se, MAShTI ka dyfishuar fondet për mbështetjen e programit i cili studentëve tanë ua hapë rrugën për studime në institucione prestigjioze amerikane, në programe me interes për zhvillimin e vendit, si dhe mundëson rrjetëzimin dhe hulumtimin me institucione hulumtuese amerikane, e që në planin afatgjatë kontribuon në ngritjen e performacës së hulumtimit në vend.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.