Pas ngjarjes tragjike të vrasjes së nxënësit të shkollës së mesme teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa ka ftuar në një takim urgjent drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë Operative në Policinë e Kosovës, nënkolonelin Rashit Qalaj, nënkolonelin Rexhep Siarina – u.d. i drejtorisë së Policisë në Prishtinë, dejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Isuf Thaçi, kryetarin e SBAShK-ut, Ali Shabanaj dhe kryetarin e Këshillit të Prindërve në Republikën e Kosovës, Bajram Beqiri.
Në këtë takim i janë shprehur ngushëllime familjes së nxënësit, i cili ka ndërruar sot jetë nga plagët e marra, ndërsa është diskutuar për harmonizimin e veprimeve të të gjithë akterëve, në mënyrë që të ketë shkolla sa më të sigurta për nxënësit në Kosovë.
Zëvendësministri Mustafa tha pas takimit se MAShT është e gatshme që t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që i përcakton ligji, për t’i marrë përgjegjësitë të cilat i ka përcaktuar Protokoli për parandalimin e dhunës, por për të marrë edhe përgjegjësi tjera, të cilat nuk janë të parapara me dokumente të tjera, e që mund të ndikojnë në eliminimin e dhunës nëpër shkolla.
“Së bashkë me Këshillin e Prindërve dhe Policinë e Kosovës, si dhe Sindikatën e Mësimdhënësve diskutuam edhe për hartimin e një plani të veprimit të përbashkët, në mënyrë që bashkërisht t’i takojmë të gjithë mësimdhënësit, të gjithë prindërit dhe së bashku të diskutojmë për mënyrat e parandalimit të kësaj dukurie, e cila po ndodhë ditëve të fundit”, tha ai.
Zëvendësministri Mustafa theksoi se është momenti i fundit që të kemi një ndërgjegjësim, jo vetëm të nxënësve, por edhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi, në mënyrë që ajo të ndikojë në parandalimin e dhunës që është shfaqur kohët e fundit nëpër shkolla.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë Operative në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj tha se edhe Policia e Kosovës ka ardhur në këtë takim me qëllimin që të ofrojë shërbime sa më të mira dhe të ndikojë në situatën e sigurisë në shkolla dhe rreth tyre. “Policia e Kosovës është përgjegjëse së bashku me institucionet e arsimit dhe prindërit që të ndikojmë së bashku për një situatë më të mirë të sigurisë në shkolla”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Këshillit të Prindërve, Bajram Beqiri iu bëri apel të gjithë prindërve të Kosovës që të bashkëpunojnë më shumë me arsimtarët dhe t’i kontrollojnë më tepër fëmijët e tyre. “Shpresojmë që ky të jetë akti i fundit tragjik që ka ndodhur në shkollat e Kosovës”, theksoi ai.
Last modified: 1 Shtator, 2022