Zëvendësministrat e Arsimit, z. Nehat Mustafa dhe z. Usmen Baldzi pritën rekordmenin Agim Agushi, i cili mbanë gjashtë rekorde botërore dhe rekordin Gines në zhonglim me top. Z. Agushi njëherësh është profesor i matematikës në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës ” në Viti.
Zëvendësministri Mustafa, e përgëzoi z. Agushi për sukseset e arritura në këtë lloj të veçantë të shkathtësive fizike-sportive që e bëri atë të famshëm brenda dhe jashtë vendit.
“Rezultatet e juaja kulmore në këtë lloj sporti janë për çdo lëvdatë, aq më tepër kur ju njëherësh jeni edhe profesor i dalluar në institucionin ku punoni. Gjashtë rekorde botërore dhe rekordi Gines, janë dëshmia më e mirë e shkathtësive tuaja të jashtëzakonshme kulturore sportive”, tha z. Mustafa.
Ndërsa, rekordmeni Agim Agushi thotë të mos jetë i kënaqur me sukseset e deritanishme dhe se synimet e tij janë: ndërtesa Burkkhalifa 202 kate në Dubai dhe rekordet botërore – vrapimi 100 dhe 200 metra, të cilat organizohen në Shëngjin dhe aktualisht i mbanë një sportist nga India.
Agushi deri tani ka arritur disa rekorde botërore në disa disiplina. Sukseset e tij të fundit ishin më 27 maj 2014 në Dubai, në ndërtesën 76 kate, ecje prapa me top, për 1 orë 9 minuta e 29 sekonda dhe më 31 maj 2014 në Gjakovë, ecje prapa me top në kokë 4220 metra për 1 orë 31 minuta e 35 sekonda.
Last modified: 1 Shtator, 2022