MASHT

ZËVENDËSMINISTRAT E MINISTRISË SË ARSIMIT, SHKENCËS, TEKNOLOGJISË DHE INOVACIONIT, DUKAGJIN PUPOVCI DHE EDONA MALOKU BËRDYNA, PËR NDER TË 7 MARSIT-DITËS SË MËSUESIT, VIZITUAN SHKOLLAT FILLORE DHE TË MESME TË ULTA NË FUSHË KOSOVË DHE GJILAN

7 Mars, 2022

Pupovci shoqëruar nga nënkryetari i Komunës, Fadil Krasnqi dhe drejtori i DKA -së, Samir Shahini, theksoi se në këtë ditë përkujtojmë marsin e vitit 1887, kur mësuesi Pandeli Sotiri hapi mësonjtoren e parë shqipe në Korçë. Ai përmendi faktin se shkolla shqipe u përball me shumë sfida, madje edhe me represion të paparë, siç ishte rasti i viteve të nëntëdhjeta në Kosovë, por shqiptarët, asnjëherë nuk hoqën dorë nga arsimimi.

Zëvendësministri theksoi se mësimdhënësit sot kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe se do të punojmë që ata të kenë një jetë të dinjitetshme, në mënyrë që profesioni i tyre të jetë atraktiv edhe për gjeneratat e reja. “Nxënësit sot nuk krahasohen me njëri-tjetrin vetëm brenda klasës, por edhe brenda shkollës, vendit, madje edhe në nivel ndërkombëtar. I gjithë ky fokus tek cilësia shton përgjegjësinë dhe kërkon angazhim të veçantë nga mësimdhënësit”, ka shtuar ai.

Zëvendësministri Pupovci dhe Drejtori i SHFMU “Daut Bogujevci” ndanë mirënjohje për dy mësimdhënës për kontributin e tyre: znj. Bukurie Ferati dhe znj. Gjylshene Haziri.
Po sot, me rastin e 7 Marsit, Zëvendësministrja e arsimit Edona Maloku Bërdyna, vizitoi komunën e Gjilanit. Ajo mori pjesë në programin e organizuar nga drejtoria e arsimit në këtë komunë. Zëvendësministrja Maloku Bërdyna e shoqëruar nga nënkryetarja e Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku dhe drejtoresha e arsimit, Selvete Sylejmani uruan së bashku mësimdhënësit dhe veteranët e arsimit për këtë ditë.

“Në këtë ditë kaq simbolike, ne jo vetëm falënderojmë, por edhe nderojmë kontributin, punën dhe sakrificën e pashoq të mësimdhënësve tanë në arsimimin e brezave te rinj. Sot, të gjithë së bashku kujtojmë dhe nderojmë mësimdhënësit që formësuan hapat tonë drejt arsimimit. Jemi të vetëdijshëm se rruga që kemi përpara nuk është aspak e lehtë dhe se frytet e punës në arsim nuk shihen menjëherë. Mirëpo, kur kjo punë është e përbashkët, ajo rezulton e suksesshme sepse vetëm puna e përbashkët sjellë fryte të plota”, ka thënë mes tjerash Zëvendësministrja Maloku Bërdyna.

Pas programit, Zëvendesministrja vazhdoi vizitën në shkollën ,,Sadulla Brestovci” ku u mirëprit nga drejtori i shkollës Ruhan Zymberi dhe kolektivi i shkollës.

Gjatë këtyre dy aktiviteteve u shpërndanë mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar të komunës së Gjilanit në shenjë falënderimi e nderimi për kontributin e dhënë në arsim.

Last modified: 17 Maj, 2022

Comments are closed.