MASHT

VITI SHKOLLOR 2021-2022 KA FILLUAR ME PRANI FIZIKE NË SHKOLLA

27 Shtator, 2021

27 Shtator 2021

Në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë, sot ka filluar viti shkollor 2021-2022 dhe sipas raporteve të ardhura nga komunat në MAShTI, në pjesën më të madhe të shkollave mësimi është zhvilluar sipas skenarit A, pra me prani fizike në shkolla.

Në ndërrimin e paradites, sipas raporteve, pjesa më e madhe e shkollave e kanë filluar ditën e parë të këtij viti shkollor sipas skenarit A, që do të thotë me prani fizike në klasë, por të ndarë në grupe me jo më shumë se 20 nxënës. Ndërsa, janë vetëm një numër i vogël i shkollave (2 shkolla në Drenas, 3 në Ferizaj, 4 në Gjilan, 1 në Viti dhe të gjitha shkollat e mesme të larta në Gjakovë), që e kanë filluar mësimin sipas skenarit B, pra me mësim të kombinuar.

Në ndërrimin e pasdites, është raportuar se shumica e shkollave kanë filluar procesin mësimor sipas skenarit A, ndërsa sipas skenarit B kanë filluar 1 shkollë në Gjilan, 3 në Ferizaj, 2 në Drenas dhe shkollat e mesme të larta në Gjakovë. Me skenarin C ka filluar mësimi në shkollën “Gjin Gazulli” në Prishtinë vetëm për klasët e 11-ta dhe 12-ta për shkak të renovimeve që janë duke u bërë në shkollë.

Në Kamenicë, ndërkaq, mësimi nuk ka filluar në 5 shkolla (“Asllan Thaqi” – Karaçevë e Poshtme, “Hasan Prishtina”- Busavatë, “Xhelal Sopi” – Petroc, “Skënderbeu” – paralelja fizike në Hogosht, “Sadri Misini” paralelja fizike në Shipashnicë), për arsye se DKA e kësaj komune e ka shpërndarë kuadrin mësimor në shkolla të tjera.

Ndërsa, Komuna e Rahovecit nuk ka raportuar sa i përket ditës së parë të fillimit të vitit shkollor, respektivisht zhvillimit të procesit mësimor në këtë komunë.

Edhe këtë vit shkollor, përmes Udhëzuesit të rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë COVID-19, është lënë mundësia e organizimit të mësimit përmes skenarëve A,B,C, të cilëve iu është shtuar edhe skenari i Rikthimit, që nënkupton mësimin me prani fizike dhe me orar të plotë.

Për zbatimin e skenarëve, varësisht nga situata epidemiologjike, do të kujdeset task forca në nivel të institucionit në bashkëpunim me task forcën në nivel të Drejtorisë Komunale për Arsim.

MAShTI iu bënë thirrje nxënësve, mësimdhënësve dhe personelit tjetër shkollor, si dhe prindërve që të bashkëpunojnë dhe të zbatojnë të gjitha masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësor për mbrojtje nga COVID-19, në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura përgjatë gjithë vitit shkollor.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.