Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në shënimin e Festës së Shkollës “Yll Morina”, në Gjakovë, me ç’rast u nderua sakrifica e heroit Yll Morina, nxënësit të kësaj shkolle, emrin e të cilit me krenari e mbanë shkolla.

Ministrja, Arbërie Nagavci fillimisht vendosi buqetë me lule mbi varrin e heroit, në shenjë nderimi për sakrificën sublime të tij, ndërsa në fjalën e saj para të pranishmëve tha se, 15 marsi i ’99-ës ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën tonë kolektive, për çka mbajmë përgjegjësinë jo vetëm për t’i ruajtur kujtimet, por për t’u rrëfyer fëmijëve tanë të vërtetat historike mbi të cilat është ndërtuar historia e re e Republikës së Kosovës.
Tutje, ajo theksoi se, ditë si kjo, kur nderohet kujtimi i të rënëve, janë momente reflektimi për secilin prej nesh, janë momente emocionale, por janë edhe momente krenarie. Duke folur për figurën e heroit Yll Morina, ministrja Nagavci tha se, me një emër të tillë, misioni fisnik i shkollës shkon më larg se aq, duke marrë një dimension historik dhe kombëtar.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka folur edhe për punën e Ministrisë së Arsimit drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në të gjithë sektorët e tij, përfshirë infrastrukturën fizike, ku konkretisht në Komunën e Gjakovës janë investuar mbi 12 milionë euro në ndërtime, rinovime e adaptime, furnizime për biblioteka dhe pajisje laboratorike, e shumëçka tjetër.
Për rëndësinë e kësaj dite dhe figurën e heroit Yll Morina folën edhe drejtor i shkollës, Berat Bejtullahu dhe drejtoresha Komunale e Arsimit, Eranda Kumnova Baçi, ndërsa të pranishëm ishin familjarë e bashkëluftëtarë të Yll Morines, përfaqësues të autoriteteve komunale, arsimtarë e mësimdhënës dhe nxënës.

Last modified: 16 Mars, 2025