MASHT

U shënua Dita Ndërkombëtare e Vajzave në Teknologji

25 Prill, 2024

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në Konferencën me temën “Udhëheqja në karrierën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM)”, që është mbajtur në ambientet e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK).

Qëllimi i Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK është të inkurajoj dhe të ndërgjegjësoj vajzat dhe gratë për mundësitë dhe sfidat në fushën e teknologjisë dhe komunikimit.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, Dita ndërkombëtare e Vajzave në TIK është një rast për të shënuar vlerën dhe kontributin e vajzave në shoqëri, e cila shërben për të rikujtuar përgjegjësinë tonë për të siguruar një mjedis, ku vajzat mund të zhvillojnë potencialin e plotë dhe të kontribuojnë në përparimin e shoqërisë.

Nagavci ka bërë të ditur se, si ministre e Arsimit, është e përkushtuar në adresimin e duhur të çështjeve gjinore dhe gjithëpërfshirjes, ndërsa bëri të ditur se, barazia gjinore është pjesë e kurrikulave arsimore, legjislacionit, strategjive dhe programeve, gjithnjë bazuar në politikat nacionale dhe legjislacionin në fuqi, në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe konventa të tjera të cilat garantojnë të drejta ta barabarta për të dy gjinitë.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka thënë se, jemi aktivisht të përfshirë në promovimin dhe ndërmarrjen e veprimeve për sigurimin e zbatimit të Konventës së Stambollit, kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ndërsa vlen të theksohet përkushtimi për zbatimin e standardeve për tekste shkollore, ku një nga standardet e përgjithshme është barazia gjinore.
Në fund, Ministrja Nagavci përmendi Konferencën STEMinists’24 e cila për të dytin vit me radhë organizohet nga MAShTI dhe ka për qëllim rrjetëzimin e vajzave/grave në këto fusha, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike e zhvillim profesional.

Për rëndësinë e shënimit të kësaj dite kanë folur edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtoresha Ekzekutive e IPKO Foundation, Abetare Gojani dhe kordinatorja e Projektit STEM, Venera Demukaj.

Last modified: 25 Prill, 2024