MASHT

U PREZANTUA PLATFORMA DIGJITALE “PLANIFIKOVET”

25 Nëntor, 2021

25 Nentor 2021

Është prezantuar sot platforma digjitale “PlanifikoVET”, e cila ka për qëllim përmirësimin e Planifikimit Financiar (formulës së financimit) për shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, përmes ofrimit të një formule financimi, bazuar në shpenzimet për profil ose për nxënës. Planifikimi Financiar për Sistemin e AAP-së në Kosovë – Propozimi për përmirësim është një ndër aktivitetet kryesore të Projektit ALLED2.

Ministrja e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, lansimi i kësaj platforme është i rëndësisë së veçantë, jo vetëm për sistemin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP), mirëpo edhe për mbarë sistemin e Arsimit Parauniversitar.

Nagavci theksoi se, sistemi i AAP luan një rol vendimtar në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një shteti, duke qenë se është çelës i progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, krijimit të pasurisë dhe uljes së varfërisë.

Ministrja vlerësoi se, një ndër projektet mbështetëse për ta zgjidhur këtë problem përmes zhvillimit të formulës financiare për financimin e shkollave profesionale është edhe projekti ALLED2 i financuar nga BE dhe ADA.

Ministrja Nagavci ka shprehur mirënjohjen e saj edhe për donatorët si Banka Botërore, GIZ, LuXDEV, të cilët kanë ofruar mbështetjen e tyre të madhe në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme, sa i përket financimit të shkollave profesionale dhe krijimit të autonomisë financiare.

Ilir Kapiti, zv/ministër i Financave, Punës dhe Transfereve tha se, kjo Ministri është në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit për t’i shtyrë proceset lidhur me financimin për avancimin e arsimit dhe aftësimit profesional.

Hiller Francke, zv/udhëheqëse e Zyrës për Zhvillim, Zyra e BE-së në Kosovë, përgëzoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në mbështetjen e fuqishme që po i jep zhvillimit të formulës financiare  të shkollave profesionale në Kosovë.

Sandra Horina, udhëheqëse e Zyrës Austriake për Zhvillim në Kosovë tha se, Qeveria e Austrisë është këtu për të ndihmuar në zbatimin efektiv të këtij projekti, i cili ka për qëllim ngritjen e cilësisë në arsim.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.