MASHT

U përurua objekti i ri i shkollës së mesme “Ulpiana” në Lipjan

1 Qershor, 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, kanë përuruar sot objektin e ri të shkollës së mesme “Ulpiana” në Lipjan.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa, ndër të tjera tha se, po përurohet kjo shkollë funksionale, e cila ofron kushte  të mira për mësim përmbajtjesorë dhe për suksesin e nxënësve. 

“Ne nuk do të ndalemi së ndërtuari objekte të reja të shkollave. Do të angazhohemi me Ministrinë e Arsimit që edhe  shkolla profesionale këtu në Lipjan ta ketë një objekt të ri dhe të ketë kushte të tilla mësimi”, tha kryeministri Mustafa, ndërsa theksoi faktin se kjo shkollë po përurohet në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, për të cilët duhet të sigurohen vazhdueshëm kushte të mira.

Ndërsa, ministri i Arsimit, z. Arsim Bajrami, u shpreh se Lipjani sot po shënon një ditë të veçantë, sepse po përurohet një ndërtesë moderne e një gjimnazi që ka një traditë, një gjimnazi nga i cili kanë dalë shumë nxënës, të cilët janë të suksesshëm në ekonomi, biznes, administratë publike, etj. 



Pasi që falënderoi gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle për punën e palodhshme që po bëjnë, ministri Bajrami theksoi se ndërtimi i shkollave është vetëm njëra pjesë e obligueshme e suksesit në arsim. “Ndërtimi i objekteve shkollore është detyrë e Qeverisë dhe komunave, por pjesa tjetër e reformës është detyrë e të gjithëve, që brenda këtyre shkollave të ndërtojmë një arsim cilësor dhe të punojmë me përkushtim që me të vërtetë këta nxënës të marrin një arsimim të merituar”.

Ministri Bajrami u shpreh i sigurt se kjo shkollë tani i ka të gjitha kushtet e nevojshme që të jetë lidere në ndërtimin e një arsimi cilësor. Ndërsa, ai tha se këto ditë do të fillojë ndërtimi i shkollës së re në fshatin Magurë dhe salla moderne sportive në shkollën fillore të Lipjanit. “Të gjitha këto janë përkushtim i Qeverisë së Kosovës për të krijuar kushte moderne për një mësimdhënie të avancuar”, tha ministri Bajrami.



Shkolla e mesme në Lipjan, e cila u përurua sot, ka 20 dhoma mësimi, laboratore dhe hapësira tjera përcjellëse si dhe sallën e sporteve të pajisur me inventarë.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.