MASHT

U PËRURUA OBJEKTI I RI I SHKOLLËS “GJERGJ KASTRIOTI” NË LLAZICË TË MALISHEVËS

2 Nëntor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj kanë marrë pjesë në përurimin e objektit të ri të shkollës “Gjergj Kastrioti” në fshatin Llazicë të Malishevës.

Në këtë ceremoni solemne, ministri Bytyqi uroi për shkollën e re nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, e po ashtu përgëzoi Komunën e Malishevës që ka ditur të ndajë prioritetet, pasi që tha se është komuna e parë që në kohën e duhur e ka vënë si prioritet arsimin.

“Ne po tentojmë tani që arsimin ta bëjmë prioritet në tërë Kosovën, por Malisheva ka kohë që e ka bërë prioritet dhe këtë e tregon fakti se në këtë komunë janë ndërtuar 15 shkolla të reja”, tha ministri Bytyqi, ndërsa theksoi se me këtë shkollë, është krijuar hapësirë që fëmijët tanë në kushte shumë më moderne të kenë mundësi të zhvillojnë mësimin dhe të marrin dije.

Ministri siguroi Komunën e Malishevës, se do të ketë bashkëpunim të ngushtë me MAShT-in, që përveç ambientit të mirë shkollor që është krijuar, të krijohen edhe mundësi të tjera që nxënësit e kësaj ane të marrin dije jo vetëm për të ardhmen e tyre, por edhe që këta të rinjtë t’ia sigurojnë të ardhmen edhe Malishevës, edhe Kosovës.

Duke folur për mësuesit dhe mësimdhënien, ministri Bytyqi theksoi se, në bashkëpunim edhe me drejtoritë komunale të arsimit, do të arrihet që nga mësimi klasik, ku nxënësit janë detyruar për të mësuar, të kalohet në interesim të nxënësve për të mësuar.  

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, pasi që uroi për shkollën e re tha se kjo shkollë siguron kushte për t’i përgatitur fëmijët tanë për një fazë të re të zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosovës.

Ndër të tjera, zëvendëskryeministri Limaj porositi mësuesit që të mos heqin dorë nga edukimi i fëmijëve për dashurinë ndaj atdheut dhe historinë e tij, sepse tha se kjo është garancë që këta djem e vajza nesër të ndihen krenarë për vendin e tyre.

Edhe kryetari Ragip Begaj uroi për shkollën e re dhe tha se kjo shkollë dhe të gjitha ato shkolla që janë ndërtuar në komunën e Malishevës do t’iu shërbejnë shumë gjeneratave për ngritjen e nivelit të edukimit në vendin tonë. Ai porositi nxënësit ta ruajnë shkollën dhe mësimdhënësit e menaxhmentin e shkollës të punojnë shumë dhe të arrijnë rezultate të mira.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.