MASHT

U nënshkrua Udhëzuesi për ndërmjetësim mes bashkëmoshatarëve

13 Tetor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nënshkruan Udhëzuesin për ndërmjetësim mes bashkëmoshatarëve, i cili synon të parandalojë përfshirjen e fëmijëve në vepra penale, duke mos lejuar dhunë e konflikte, dhe duke përmirësuar marrëdhëniet shoqërore brenda shkollës.

Ministret Nagavci dhe Haxhiu para nënshkrimit të këtij Udhëzuesi bashkëbiseduan me nxënësit, mësimdhënësit dhe menaxhmentin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Meto Bajraktari” në Prishtinë, në ambientet e së cilës edhe u formalizua ky dokument.

Ministrja, Arbërie Nagavci me këtë rast tha se, ky Udhëzues na mëson se, si t’i dalim në mbrojtje një shoku apo shoqeje në situatë të palakmueshme dhe se, si të parandalojmë në mënyrë paqësore konfliktet e mundshme mes shokëve e shoqeve, duke shmangur tensionin e dhunën.

Ndër të tjera, Nagavci bëri të ditur se, me këtë Udhëzues, ofrohet mundësia që edhe nxënësit të përmbushin pjesën e tyre në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt e miqësor për të gjithë.

Ministrja Nagavci gjithashtu theksoi se, në Kosovë janë 130 shkolla që praktikojnë me sukses ndërmjetësimin mes bashkëmoshatarëve, dhe ky numër pritet të rritet me rastin e zbatimit të këtij Udhëzuesi.

Ndërsa, ministrja Albulena Haxhiu shprehu bindjen se kjo shkollë do të shërbejë si model i zbatimit të Udhëzuesit edhe për shkollat tjera, ndërsa nxënësit i porositi që me respekt ndaj njëri-tjetrit dhe me bashkëbisedim të zgjidhin problemet e mundshme mes tyre.

Grupi i ndërmjetësimit të shkollës “Meto Bajraktari”, si organ i ndërmjetësimit të nxënësve, i cili funksionon në kuadër të shkollës, bëri prezantimin e projektit në të cilin u përshkruan hapat që duhet ndjekur për të realizuar ndërmjetësimin e një situate.

Last modified: 13 Tetor, 2023

Comments are closed.