MASHT

U NËNSHKRUA MEMORANDUM BASHKËPUNIMI PËR KRIJIMIN E RRJETIT BIBLOTEKAR NË KOSOVË

25 Nëntor, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në kuadër të shënimit të 77 vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe me qëllim të mbështetjes financiare për realizmin e projektit “Krijimi i rrjetit bibliotekar në Kosovë” kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast theksoi se, duke u bërë pjesë e Marrëveshjes,  ministritë e linjës do të tregojnë përkushtimin e tyre institucional për t`i kontribuar krijimit të rrjetit të bibliotekave me Bibliotekën Kombëtare, e cila ka synim avancimin e shërbimeve bibliotekare në të mirë të të rinjve tanë.

Nagavci tha se, objektivat e Marrëveshjes janë të qarta dhe të domosdoshme për  cilësinë e shërbimeve, për të gjithë ata që duan të rrisin dijen përmes leximit sistematik dhe përcjelljes së risive që i ofrojnë bibliotekat tona, si rrjet funksional dhe i avancuar.

Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani nga ana e saj vlerësoi se, realizmi i projektit do të rrisë aftësimin për përdorimin e teknologjisë, përmes formateve dhe praktikave të reja të bibliotekarisë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se përmes formalizmit të kësaj Marrëveshjeje do të mundësohet që të gjitha komunat e Kosovës të jenë pjesë e përfitimeve që ndodhin në qendër.

Ndryshe, përfshirja e bibliotekave të Kosovës në një Platformë të Shërbimeve Bibliotekare do të mundësonte krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave më të rëndësishme të vendit, ndërtimin e katalogut të përbashkët, ku qytetarët, studiuesit, shkollarët e Kosovës dhe më gjerë do të njiheshin me libra, periodikë dhe materiale të tjera përmes katalogut të përbashkët, hyrjen e tyre në sistemet e zhvilluara bibliotekare, aftësim në përdorimin e teknologjisë, të formateve të reja dhe të njohjes me praktika rajonale dhe botërore në fushën e bibliotekarisë.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.