10 Nentor 2021
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe i ngarkuari me punë pranë Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit për Programin Fulbright të Shkëmbimit Akademik ShBA – Kosovë.
Realizimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit dhe rritja e fondeve për programin Fulbright, studentëve tanë ua hapë rrugën për studime në institucione prestigjioze amerikane, në programe me interes për zhvillimin e vendit, si dhe mundësohon rrjetëzimin dhe hulumtimin me institucione hulumtuese amerikane, që në planin afatgjatë kontribuon në ngritjen e performacës së hulumtimit në vend.
Ministrja Arbërie Nagavci, me këtë rast ka shprehur mirënjohje për Qeverinë Amerikane dhe Ambasadën Amerikane në Kosovë, të gjithë partnerët dhe ekspertët për ofrimin e bashkëpunimit në arritjen e objektivave drejt përmirësimit të arsimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Nagavci tha se, përmes mbështetjes së skemave të shkëmbimit, MAShTI kishte nderin që të ishte nikoqir i ekspertëve nga SHBA-të, të cilët kanë ofruar mbështetje në Divizionin e kurrikulave, Departamantin e arsimit të lartë, si dhe në politikat e sigurimit të cilësisë në AKA.
Ministrja Nagavci bëri të ditur se, MAShTI ka dyfishuar fondet për mbeshtetjen e programit, ndërsa ftoi gjithë studentët, stafin akademik dhe komunitetin shkencor që t’i përcjellin thirrjet në kuadër të kësaj Marrëveshje dhe të aplikojnë për këtë mundësi të re. Ajo bëri të ditur se në kuadër të këtij bashkëpunimi është themeluar Bordi i Shkëmbimit Arsimor Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Kosovë, ku ky bord këshilldhënës do të ndihmojë në përcaktimin e prioriteteve strategjike për bashkëpunim në të dyja vendet dhe do të këshilloj për iniciativa me interes të përbashkët.
Ndërsa, i ngarkuari me punë pranë Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe falënderoi Ministren dhe bashkëpunëtorët e saj për lidershipin e fortë të treguar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në programin Fulbright në Kosovë.
Giacobbe theksoi se ky përkushtim është përforcuar edhe më shumë përmes themelimit të Bordit të Shkëmbimit Arsimor Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Kosovë, i cili ka një rol të rëndësishëm në krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme në fushën e arsimit. Ai po ashtu tha se, programi Fulbright prej fillimit të zbatimit të tij në vitin 2009 në Kosovë ka pasur mbështetje të fuqishme nga Qeveria e Kosovës.
Last modified: 7 Qershor, 2022