MASHT

PËRMBYLLET KONFERENCA “DIALOG POLITIKASH NË FUSHËN E KËRKIMEVE SHKENCORE DHE INOVACIONIT”

9 Nëntor, 2021

09 Nentor 2021

Është përmbyllur konferenca “Dialog Politikash në fushën e kërkimeve shkencore dhe inovacionit”, e organizuar nga HERAS+ dhe MAShTI, e përkrahur nga Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim.

Qëllimi i kësaj konference ishte diskutimi me të gjithë akterët e fushave të kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë e diasporë për veprimet afatmesme dhe afatgjata të nevojshme për zhvillimin e ekosistemit në këto fusha. 

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, ka folur për planet e MAShTI-t për vitet e ardhshme, në mënyrë që vendi ynë të shënojë arritje në kërkim shkencor dhe inovacion derisa përmendi 5 qëllimet strategjike të MASHTI për arsim. 

Ajo ka thënë se njëra ndër qëllimet kryesore strategjike ka të bëjë me përmirësimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit si baza të zhvillimit të një shoqërie të bazuar në njohuri e të aftë për transformime.

Në këtë pikë sipas zëvendësministres Maloku Bërdyna, janë esenciale sigurimi i financimit për veprimtarinë kërkimore-shkencore, integrimi i Kosovës në Hapësirën Kërkimore Evropiane (ERA), dhe përmirësimi i inovacionit shkencor në drejtim të zhvillimit ekonomik të vendit. 

Ndërkaq, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi ka theksuar se diaspora shkencore kosovare është relativisht e re, kryesisht e vendosur në vendet e OECD-së, por shumë e lëvizshme mes tyre, e larmishme për sa i përket fushës së studimit dhe kryesisht e punësuar në universitete dhe institute kërkimore. Ajo tha se anëtarët e diasporës mbajnë lidhje të ngushta me vendin e tyre, por vetëm një pakicë e vogël parashikon realisht kthimin, për shkak të një kombinimi të pengesave ekonomike dhe politike. 

Diskutimi i ngushtë me akterët relevantë do të vazhdojë, ndërsa krijimi i urave të bashkëpunimit ndërmjet komunitetit shkencor e inovativ në vend dhe atij në diasporë do të thellohet edhe më shumë. 

Rezultat i konferencës do të jetë edhe hartimi i një dokumenti që do ta ndihmojë MAShTI-n në planifikimin e politikave në fushën e kërkimeve shkencore dhe inovacionit.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.