MASHT

U MBAJT TAKIM I PËRBASHKËT I KOMISIONEVE PËR ARSIM NGA KOSOVA DHE SHQIPËRIA

3 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me zëvëndësministrin Taulant Kelmendi, kryetarin e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola dhe kolegë tjerë, kanë pritur në takim Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ministrja Nagavci me këtë rast, ka informuar delegacionin nga Shqipëria për punët dhe planet e MAShTI-t, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të intensifikuar punët e përbashkëta në fushën e arsimit.

Kryesuesja e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik nga Kuvendi i Shqipërisë, Flutura Açka propozoi që të krijohet një Platformë e përbashkët mbarëkombëtare për projekte konkrete mes dy shteteve, ku pati pajtueshmëri edhe nga ana e nikoqirëve të takimit.

Anëtarja e Komisionit, për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi tha se gjatë këtyre tri viteve kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me ministren Nagavci dhe stafin e MAShTI ku janë nënshkruar disa marrëveshje dhe ka nisur zbatimi i tyre si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Ndër të tjera, në këtë takim u diskutua edhe për shtimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks të veçantë, edukimit në fëmijërinë e hershme.

Duke qenë se viti 2024 është shpallur “Vit i Gjuhës Shqipe”, të dy delegacionet u dakorduan që të ketë sa më shumë aktivitete të përbashkëta mes dy shteteve tona.

Last modified: 3 Prill, 2024

Comments are closed.