MASHT

U MBAJT SAMITI PËR BALLKANIN PERËNDIMOR 2022

27 Tetor, 2022

Është mbajtur Samiti për Ballkanin Perëndimor 2022 me temën “Ndërtimi i urave për paqe, prosperitet dhe solidaritet”, organizim i revistës prestigjioze The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës me ç’rast zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna ka folur për përshpejtimin e teknologjisë dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor.

Në panelin e diskutimit për Zhvillimin e Teknologjisë dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor, zëvendësministrja Maloku Bërdyna ka folur për potencialin që ka ky rajon për t’u bërë një qendër digjitale për Evropën.

Duke theksuar se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë një popullsi të re bën që ato të kenë mundësi unike për zhvillimin e potencialit në fushën e teknologjisë dhe të inovacionit.

Zëvëndësministrja shtoi se Kosova tanimë po dëshmon se ka një fuqi punëtore të këtij sektori që është energjike, kompetente dhe me aftësi për të komunikuar në shumë gjuhë, gjë që e rritë dukshëm potencialin e ofrimit të shërbimeve.

Me këtë rast tha se të dhënat tregojnë se janë mbi 650 kompani në sektorin e teknologjisë informative në Kosovë dhe, të cilat, mbi 70% të shërbimeve të tyre i ofrojnë tanimë për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndër të tjera, në këtë panel diskutimi u tha se, zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe inovacionit mund të kontribuojë edhe në proceset e ndërtimit të paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke ofruar ekosisteme që nxisin bashkëpunimin, transformojnë qëndrimet dhe u japin një zë më të fortë komuniteteve.

Last modified: 27 Tetor, 2022

Comments are closed.