MASHT

U mbajt manifestimi qendror Festa e Abetares 2014

17 Maj, 2014

Nën organizmin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), është mbajtur manifestimi qendror Festa e Abetares 2014, e cila këtë vit u shënua në qytetin e Gjakovës.

Kjo festë, çdo vit mbledhë nxënës të klasave të para nga shtatë Qendrat Rajonale të Kosovës, respektivisht nga të gjitha shkollat e Kosovës, me ç`rast nxënësit e kasave të para në forma të ndryshme kulturo-artistike shprehin aftësitë e tyre, njohuritë e të mësuarit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Me rastin e hapjes së këtij manifestimi tradicional, Drita Kadriu, këshilltare e ministrit Buja, ka uruar fatosat për sukseset e dëshmuara në të mësuarit e shkronjave dhe shprehu besimin se rrugëtimi i tyre drejt shtigjeve të diturisë do të jetë i suksesshëm.

Znj. Kadriu foli për historikun dhe rëndësinë e organizimit të këtij manifestimi që simbolikisht shënon ditën kur konsiderohet se nxënësit tashmë kanë mësuar shkrim-lexim.

Në vazhdim, znj. Kadriu foli edhe për Abetaren e përbashkët Kosovë – Shqipëri, e cila u promovua dy vite më parë dhe që tashmë përdoret në të dy vendet.

E veçanta e këtij manifestimi është se, sivjet për herë të parë morën pjesë nxënësit e shkollës “Avni Rrustemi” nga Kukësi, të cilët me programin e tyre krijuan një ambient hareje e gëzimi, sikur edhe bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë.

Në fund të këtij manifestimi, të gjithë pjesëmarrësit u nderuan me mirënjohje.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.