MASHT

U mbajt Konferenca “Konkurrenca e Industrisë Metalike (me fokus në shkathtësi)”

30 Janar, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mori pjesë në Konferencën “Konkurrenca e Industrisë Metalike (me fokus në shkathtësi)”, e organizuar nga Klubi i prodhuesve të Kosovës, në të cilën u diskuta për ndikimin e shkollave profesionale dhe mundësinë e rritjes së punësimit të të rinjve përmes përgatitjes dhe shkathtësive të fituara gjatë shkollimit.

Ministri Bytyqi vlerësoi lartë rëndësinë e kësaj Konference, duke thënë se po bisedohet për një optimizëm për të ardhmen e të rinjve, por edhe të zhvillimit të vendit.

Ministri Bytyqi theksoi se, rreth 80 për qind e kompanive prodhuese kanë kërkuar të shtojnë numrin e të punësuarve, duke krijuar besimin se vendi  është duke shkuar në një drejtim pozitiv. Ministri Bytyqi ka thënë se, kërkesa e shtuar për punësimin e të rinjve duhet të rrisë përgjegjësinë institucionale në krijimin e kushteve për zhvillimin e shkathtësive të të rinjve tanë, përkatësisht mbështetjen e shkollave profesionale dhe qendrave të kompetencës.

“Ndikimi më i madh i shkathtësive të të rinjve tanë vije pikërisht nga shkollat e aftësimit profesional dhe qendrat e kompetencës. Kjo do të thotë që të rinjtë të cilët marrin aftësimin në këto institucione e kanë më të lehtë të gjejnë punë sepse ata janë të gatshëm për tregun e punës”, është shprehur ministri Bytyqi. 

Ministri Bytyqi, përveç industrisë metalike, ka përmendur edhe industrinë e tekstilit dhe metalit si fusha në të cilat vazhdimisht ka kërkesa në tregun e punës dhe të cilave duhet tu kushtohet kujdes dhe tu ofrohet përkrahje.

Në Konferencën “Konkurrenca e Industrisë Metalike (me fokus në shkathtësi)”, të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe drejtori i programit EYE, Timothy Sparkman. 

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.