Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zyrtarë të lartë të MAShTI-të morën pjesë në Konferencën për Arsimin e Lartë “Integriteti dhe Transparenca në Arsimin e Lartë: sfidat dhe rrugët për përmirësim”, që është konferenca e dytë, në kuadër të projektit “Përkrahja e arsimit të lartë përmes avokimit dhe kontributit të bazuar në hulumtim”, i cili mbështetet nga Fondacioni i Ballkanit Perëndimor për Shoqëri të Hapur dhe përmes të cilit është mbështetur Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet, në dy vitet e fundit.
Kjo Konferencë është një ngjarje e rëndësishme që synon adresimin e dy vlerave kyçe për zhvillimin e sistemit arsimor, të qëndrueshëm dhe të besueshëm: integritetin dhe transparencën.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj të rastit theksoi se, për institucionet qeveritare, shoqëria civile është një matës i fuqishëm i politikave shtetërore dhe veprimeve institucionale dhe pavarësisht nga pajtimet apo mospajtimet momentale, qëllimi është i njëjtë dhe i përbashkët: përmirësimi i jetës së qytetarëve.
Ministrja gjithashtu tha se, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit janë të hapura ndaj veprimeve dhe nismave të ndryshme që vijnë nga organizatat e shoqërisë civile, duke promovuar komunikime të hapura dhe mbështetje të vazhdueshme.
Ministrja Nagavci, tutje theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me koalicionin KITU, duke e cilësuar atë si shumë produktiv në proceset kyçe të arsimit të lartë. Ajo ka përmendur mbështetjen e koalicionit në hartimin e Statutit të ri të Universitetit të Prishtinës, një arritje me rëndësi të veçantë, gjithashtu ajo ka theksuar monitorimin e Këshillit Kombëtar për Njohje të Qendrës NARIC në MAShTI, që tani realizohet në kuadër të Projektit HEI 25.
Ajo ka përmendur Strategjinë e re të Arsimit 2022-2026, një nga pesë objektivat strategjike kyçe është përmirësimi i cilësisë, integritetit dhe konkurrueshmërisë së arsimit të lartë.
Ndërsa, në fjalën e tij gjatë kësaj konference, Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, theksoi rëndësinë e pavarësisë institucionale dhe financiare të AKA për të siguruar një ekosistem të shëndetshëm në arsimin e lartë.
Ai vuri në dukje se miratimi i Ligjit për AKA-në, është një hap i madh drejt garantimit të cilësisë dhe integritetit në këtë sektor.
Last modified: 13 Tetor, 2024