MASHT

U mbajt Konferenca e Inovacionit STEM

6 Nëntor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Konferencën e Inovacionit STEM, të organizuar nga RIT Kosova, ku synimi i saj është të inkurajojë dhe promovojë pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).

Ministrja Nagavci theksoi se, projekti STEFORA i mbështetur/financuar nga Erasmus + është realizuar me sukses brenda një viti, me mbështetjen e gjashtë universiteteve evropiane, ka arritur të zhvillojë modele edukimi për qytetarinë dixhitale, të organizojë trajnime dhe të krijojë strategji për përfshirje sociale.

Nagavci tha se, përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë mbetet prioritet i qeverisë sonë, dhe për këtë kemi ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë miratimin e ligjit të ri për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, duke siguruar pavarësinë e saj institucionale dhe financiare. Ajo përmendi se, për herë të parë, kemi nisur skemën e bursave për studentët në fusha STEM, me fokus të veçantë te vajzat dhe gratë në universitetet publike.

Po ashtu, ministrja tha se, konferenca vjetore STEMINISTS që sjell së bashku liderë dhe shkencëtare në STEM, ka kontribuar në diskutime dhe projekte që synojnë të zbusim diferencat gjinore dhe të inkurajojnë gratë në profesione të konsideruara si të ashtuquajtura profesione për “burra”.

Ambasadori i Evropës në Kosovë, Aivo Orav theksoi se Erasmus+ nxit përfshirjen gjinore në fushat STEM, duke fuqizuar gratë dhe vajzat për të marrë pjesë në disiplinat që formojnë të ardhmen, si inovacioni, rritja ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Ndërsa, Presidenti i RIT Kosova, Kamal Shahrab foli për rëndësinë e përfshirjes së vajzave dhe grave në fushat STEM, për të dhuruar mundësi më të mëdha për të ardhmen e grave sepse siç theksoi ai: “bota ka parë shumë gra shkencëtare të suksesshme dhe mund të ketë edhe më shumë”.

Last modified: 6 Nëntor, 2024