MASHT

Të martën fillon Seminari i Dhjetë Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë – Berati 2014

25 Korrik, 2014

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS), do të organizojnë Seminarin e dhjetë Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë, i cili kësaj radhe do të mbahet në Berat, nga data 29 korrik – 01 gusht 2014.

Qëllimi i këtij seminari, tashmë tradicional është që pjesëmarrësit, konkretisht mësimdhënësit e angazhuar në procesin e MPGJSh (Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe), në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë të ofrojnë dhe këmbejnë përvojat më të mira nga praktikat e tyre, por edhe të marrin informacione nga zyrtarët e lartë të dy ministrive përkatëse, MAShT- i dhe MAS-i, për reformat dhe Kurrikulën e re.

Nikoqir i pjesëmarrësve të Seminarit këtë vit do të jetë Komuna e Beratit.

Punimet e seminarit do të fillojnë ditën e martë (29 korrik 2014) në ora 16:00, në ambientet e hotel Tomori – Berat.

Sipas agjendës (programit), në këtë eveniment do të trajtohen tema të ndryshme si:

Unifikimi i kurrikulave të arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, Njohja e trashëgimisë përmes lojërave tradicionale, Mësimi i gjuhës amtare shqipe në gjimnazet e Vjenës dhe disa probleme që lidhen me të, Zhvillimi i shkathtësive të të lexuarit në gjuhën shqipe, Integrimi ndërlëndor përmes veprimtarive ekstrakurrikulare në klasat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, promovimi i librit-monografisë së Abdurrahim Ashikut “Shkolla Shqipe e Selankuit”, etj.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.