MASHT

SHKOLLAT E GJAKOVËS PËRFITUAN PAJISJE TEKNOLOGJIKE SI DONACION NGA UNICEF DHE ADA

26 Gusht, 2021

Ministrija e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ku u dhuruan pajisje teknologjike për shkollat e Gjakovës.

Këta laptopë janë dhuruar nga UNICEF-i në partneritet me Agjencinë Austrike për Zhvillim (ADA) në Kosovë për të përkrahur MAShTI-n në mbështetje të mësimnxënies së vazhdueshme për të gjithë fëmijët në vitin e ri shkollor.

Me këtë rast, ka filluar edhe faza e dytë e trajnimi dyditor për mësimdhënësit e Gjimnazit “Hajdar Dushi” për tri programet e akredituara nga Ministria e Arsimit (UPSHIFT, PODIUM dhe PONDER), ku mësimdhënësit do të punojnë në përpilimin e planprogrameve mësimore në mënyrë që të bëjnë ndërlidhjen e kurrikulës mësimore me këto programe.

Me këtë rast, ministrja Nagavci theksoi se në këto rrethana sfiduese po bëjmë çmos për hapjen e sigurt të shkollave me prani fizike të të gjithë fëmijëve, ndërsa falënderoi UNICEF -in për përpjekjet dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë dhe përtej pandemisë.

Ministrja theksoi se krahas përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor me pjesëmarrje fizike në shkolla, kjo do të mundësojë mësim cilësor në internet për fëmijët, si dhe u lejon mësimdhënësve të shfrytëzojnë potencialin e mësimit të kombinuar

Ushtruesja e Detyrës se Shefes se Zyrës së UNICEF-it, Larissa Bruun tha se kjo organizatë është duke punuar me MAShTI-n gjatë vitit të fundit për ta bërë të disponueshëm online mësimin përmes platformes shkollat.org.

Ndërsa, Sandra Horina, Këshilltare dhe Shefe e ADA-s në Kosovë theksoi se tri programet janë programet më të përshtatshme për të rinjtë dhe se tashmë janë trajnuar rreth 2 mijë mësues me qëllim që të kuptojnë ato programe dhe të zbatojnë njohuritë e mësuara prej tyre në teknikat dhe metodat e tyre mësimore në shkolla.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe ADA, përmes këtij programi, në tërësi kanë dhuruar 170 laptopë dhe përveç shkollave të Gjakovës, do të përfitojnë edhe ato të Gjilanit, Lipjanit, Dragashit dhe Zubin Potokut.  

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.