MASHT

PREZANTOHET UDHËRRËFYESI I FINANCIMIT TË BAZUAR NË PERFORMANCË TË INSTITUCIONEVE PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË

29 Nëntor, 2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka prezantuar Udhërrëfyesin e financimit të bazuar në performancë të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë, dokument ky i cili u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë midis MAShTI-t dhe Ministrisë Federale Austriake të Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit, me mbështetjen e HERAS Plus.

Me këtë rast, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se ky dokument do t’i kontribuojë ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë, që është vënë në qendër të vëmendjes së Qeverisë dhe është një nga 5 objektivat e Planit Strategjik të Arsimit për periudhën 4 vjeçare.

Duke folur për punën që është bërë, ministrja përmendi rikthimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim si anëtare e asocuar e ENQA-s, projektligjin për Arsimin e Lartë dhe përmirësimin e planifikimit të numrit të studentëve të rinj.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi se një shtytje në ngritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë është edhe rritja e buxhetit për arsim në rreth 24 përqind për vitin 2022 dhe 2023, pra rreth 12 përqind për secilin vit.

Ministrja Nagavci theksoi se financimi në bazë të performancës është obligim ligjor që parashihet me Ligjin për Arsimin e Lartë (të vitit 2011) dhe deri tani nuk ka gjetur zbatim asnjëherë. Kjo mënyrë e financimit, tha ajo, rrit përgjegjësinë dhe transparencën, sepse do të shtyjë universitetet që të planifikojnë kujdesshëm dhe ky planifikim i tyre të jetë në linjë me prioritetet kombëtare.

Për rëndësinë e këtij dokumenti, foli edhe Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, i cili u shpreh se Kosova mund të marrë përvoja nga mënyra e financimit të arsimit të lartë nga shteti i tij dhe për këtë janë të gatshëm të kontribuojnë edhe mëtutje.

Elmar Pichl, drejtor gjeneral në Ministrinë Federale Austriake të Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit tha se modelet e financimit të bazuar në performancë përdoren në shumë vende. Nganjëherë reformat marrin kohë, por disa nuk mund të presin shumë sidomos ato të arsimit dhe theksoi se është e qartë se financimi i ri duhet të filloj tani.

Ndërkaq, Aqim Emurli, udhëheqës i Projektit “HERAS Plus”, tha se përgatitja e këtij Udhëzuesi ka filluar qysh në vitin 2021 dhe se janë të gatshëm që implementimi i këtij projekti të fillojnë menjëherë.

Për zhvillimin e këtij Udhërrëfyesi foli zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, i cili tha se financimi i bazuar në performancë përmbushë më mirë nevojat e universiteteve publike.

Last modified: 29 Nëntor, 2022

Comments are closed.