MASHT

PËRUROHET SHKOLLA E RENOVUAR “ZENEL HAJDINI” NË TËRSTENIK TË DRENASIT

18 Tetor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Havonier, kanë marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të renovimit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Zenel Hajdini”, në fshatin Tërstenik të Drenasit.

Renovimi i kësaj shkolle është bërë me donacion të Komandës Ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (EUCOM), përmes programit për Ndihmë Humanitare dhe Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje, në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

Ministrja Arbërie Nagavci, me këtë rast ka theksuar se, kjo shkollë pa dyshim që e meriton plotësisht këtë mbështetje, duke qenë një ndër shkollat e para në Drenas, vend ky i cili ka dhënë shumë edhe për lirinë e Kosovës.

Ministrja tha se këtë punë dhe sakrificë na mbetet ta përkthejmë në punë dhe fëmijëve tanë t’u ofrojmë më shumë mundësi, ndërsa uroi nxënësit, mësimdhënësit dhe gjithë komunitetin për këtë shkollë që tashmë ofron kushte për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.

Pasi që theksoi se ky donacion është në linjë paralele me punën që Ministria e Arsimit është duke bërë në tërë sistemin shkollor të vendit, ministrja Nagavci falënderoi Qeverinë amerikane për kontributin dhe ndihmën e vazhdueshme që jep në sektorin e arsimit në Kosovë.

Ministrja Nagavci gjithashtu theksoi se, si Ministri jemi të përkushtuar që të ofrojmë kushte për arsimimin cilësor të fëmijëve, duke e pasur fokusin e veçantë tek infrastruktura shkollore, si pjesë me rëndësi e punës drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në shkollat tona.

Last modified: 18 Tetor, 2023

Comments are closed.