MASHT

PËRFUNDON PROJEKTI I PEDAKOS PËR EDUKIMIN NË FËMIJËRINË E HERSHME

5 Shkurt, 2023

Projekti i PedaKos për edukimin në fëmijërinë e hershme, i cili është përmbyllur sot, ka nisur të implementohet nga viti 2018 dhe është mbështetur nga Agjencia Italiane për bashkëpunim dhe zhvillim dhe zbatuar nga Volontari Nel Mundo me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Kosovë.

Në ceremoninë e përmbylljes së projektit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se edukimi në fëmijërinë e hershme është një nga prioritetet e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Për më pak se dy vite këtë e kemi dëshmuar në përmirësimin e legjislacionit duke finalizuar Ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme, si dhe shumë politika tjera”, tha ajo. Ministrja Nagavci theksoi se projekti PedaKos ka qenë bashëudhëtar i yni në edukimin e hershëm. Sot, teksa shënojmë përmbyllen e këtij projekti, mbesim me besimin se bashkëpunimet tona me Volontari nel Mondo, RTM dhe Italinë si partnerë kyç, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Duke folur për punën që po bëhet në këtë drejtim, ministrja theksoi se jemi duke punuar edhe në kurrikulën për edukimin në fëmijërinë e hershme, e cila pritet të finalizohet brenda këtij viti, ndërsa janë finalizuar edhe dukumente tjera si Udhëzuesi për ushqyshmërinë, derisa në Strategjinë për arsim 2022-2026, si dhe në Strategjinë kombëtare të zhvillimit, deri në vitin 2030, edukimi në fëmijërinë e hershme zë vend tejet të rëndësishëm.

“Për këtë vit kemi planifikuar 6.5 milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja si dhe aktivitetet tjera që do të na mundësojnë që të rrisim përfshirjen e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme e të kemi edukim cilësor”, tha ministrja Nagavci.

Ndërkaq, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, foli për rëndësinë e këtij projekti dhe tha se vazhdimësia dhe sensi i një identiteti të përbashkët është trashëgimia që PedaKos ju jep.

Presidenti i Reggio Children, Cristian Fabbi, tha se në këtë projekt kanë qenë të përfshirë shumë komunitete derisa shtoi se secili fëmijë i ka të drejtat e veta.

Last modified: 9 Shkurt, 2023

Comments are closed.