MASHT

Përfundoi me sukses pjesa e parë e testit “Matura Shtetërore 2014” – afati i gushtit

29 Gusht, 2014

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me sukses ka organizuar pjesën e parë të Testit të Maturës Shtetërore 2014, afati i gushtit. Këtij provimi i janë nënshtruar rreth 23 mijë nxënës, të cilët nuk ishin të suksesshëm në afatin qershorit si dhe ata të cilët për shkaqe të ndryshme nuk kishin mundësinë të hyjnë në provim herën e parë.

Ditën e parë të testit, nxënësit sprovuan dijen e tyre në lëndët : Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Anglisht, respektivisht në 180 pyetje nga këto lëndë.

Zëvendësministri i Arsimit, z. Nehat Mustafa, njëherësh kryetar i Komisionit Qendror Shtetërorë të Maturës (KQSHM), në një prononcim të shkurtër për media tha se jemi munduar që me kohë t’i bëjmë të gjitha përgatitjet që të kemi ministrim të suksesshëm të provimit.

“Sipas informatave që kemi nga terreni, mund të themi se procesi ka shkuar mirë me përjashtim të vonesave disaminutëshe në disa shkolla. Ndërsa, vështirësi teknike patëm edhe aty ku shkollat ishin duke u rinovuar, me ç`rast drejtorët komunal të arsimit i bënë zgjidhjet e duhura”, tha zv/ministri Mustafa.

Në vazhdim, z. Mustafa tha se vështirësi kishte me disa nxënës, të cilët nuk e kishin paraqitur me kohë kërkesën që të hyjnë në provimin e maturës dhe se për këtë 
çështje kanë vendosur aty për aty kryetarët e komisioneve dhe drejtorët e shkollave, të cilët kanë verifikuar arsyeshmërinë e këtij lëshimi nga ana e nxënësve.

Ndërsa, sa i përket masave disiplinore të ndërmarra për evitimin e parregullsive dhe angazhimin e kompanive të sigurimit fizik në këtë proces, zv/ministri Mustafa tha se

“të gjithë ata skeptikë, apo kritikë që kanë kundërshtuar, apo kanë shprehur rezervat e tyre sa i përket angazhimit të kompanive të sigurimit fizik në administrimin e testit,
tashmë janë bindur se ky ka qenë një ndër veprimet më të mira që kemi ndërmarrë, për arsye se me këtë u kemi mundësuar maturantëve më të mirë që të shprehin dijen e tyre të papenguar nga të tjerët”, theksoi ai.

Testi është mbajtur në 235 qendra, ndërsa për administrim të suksesshëm janë angazhuar mbi 1500 administrues dhe mbi 700 komisionerë. Kryetarë të komisioneve në Qendrat e Testimit ishin profesoret e universiteteve publike.

Procesin e kanë përkrahur edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët zv/ministri Mustafa shprehu falënderim të veçantë.

Pjesa e dytë e provimit do të mbahet me 6 shtator.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.