MASHT

Një delegacion i MAShT-it po qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi

7 Mars, 2012

Një delegacion i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), i prirë nga zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, qëndroi për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave dhe njoftimi me reformat dhe arritjet e Malit të Zi në këtë sferë të jetës dhe njoftimi me mënyrat e realizimit të objektivave dhe përvojën e Malit të Zi, që ato të shfrytëzohen për planet e MAShT-it për të ardhmen.

Zëvendësministri Mustafa takimin parë e zhvilloi me homologen e tij, zonjën Vesna Vuçuroviq, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit të Malit të Zi, me të cilën shkëmbyen mendimet dhe përvojat e dy vendeve për avancimin e arsimit në këto dy vende duke potencuar plotësimin e standardeve dhe kërkesave nga BE-ja, ku që të dy vendet tentojnë që të bëhen anëtare.

Në takim ishte prezent edhe këshilltari në ministrinë për Arsim për arsimimin në gjuhën shqipe, Rrok Gjolaj, i cili njoftoi zëvendësministrin kosovar për gjendjen e arsimit shqip në Mal të Zi dhe hapat konkret që kjo ministri po i ndërmerr për avancimin e arsimit të pakicave.

Delegacioni i MAShT u takua edhe me drejtorin e Entit për shkolla, pastaj me drejtorin e Qendrës për provime të Malit të Zi, si dhe me koordinatorin për gjuhën shqipe në këtë qendër.

Ata, poashtu, zhvilluan edhe një takim me drejtorin e Qendrës për arsimin profesional, me përfaqësuesit e sektorit të kësaj qendre, kurse delegacioni i MAShT, në fund realizoi edhe një takim miqësor edhe në ministrin për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave Nacionale në Qeverinë e Malit të Zi.

Takimi në Ministrinë për Pakica u zhvillua mes zëvendësministrit kosovar, Nehat Mustafa dhe zëvendësministrit të kësaj ministrie, Sabahudin Deliq. Në këtë takim, u bisedua për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, me theks të veçantë në lëmin e arsimit dhe nevojën e nxënësve shqiptar nga Mali i Zi për t’u regjistruar në fakultet e Kosovës.

Delegacioni kosovar i arsimit do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Komisioni evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilën do të iniciojnë platformën e Ballkanit Perëndimor për arsimim dhe përgatitje në shkollën rajonale për administratën publike -RESPA – në Danillovgrad. Ky do të jetë hap i rëndësishëm për politikën rajonale të dialogut, i cili ka për qëllim harmonizimin më të mirë me standardet e BE-së në lëmin e arsimit dhe edukimit. Pritet që platforma të avancojë politikën rajonale të dialogut në të gjitha nivelet e arsimimit dhe të mundësojë që edhe në Ballkanin Perëndimor të realizohet shkëmbimi i përvojave dhe trendeve më të reja zhvillimore në vendet anëtare dhe shkëmbimin e rezultateve të metodës së re të koordinimit, e cila është suazë për bashkëpunim në BE në sferën e arsimit.

Last modified: 29 Gusht, 2022