MASHT

NË KUADËR TË JAVËS SË PROMOVIMIT TË SHËNDETIT NË SHKOLLA, MINISTRJA NAGAVCI VIZITOI GJIMNAZIN “SAMI FRASHËRI”

11 Tetor, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar Javën e promovimit të shëndetit në shkolla, me temën “Edukimi seksual gjithëpërfshirës në shkolla”, ku nga data 9 deri më 13 tetor parashihet që të organizohen sesione informuese dhe sensibilizuese me nxënës, prindër dhe mësimdhënës të niveleve të ndryshme të arsimit parauniversitar.

Këto aktivitete kanë për qëllim adresimin e komponentës së shëndetit gjithëpërfshirës shkollor, e cila përkufizohet si një qasje e integruar në promovimin e shëndetit, me qëllim të edukimit dhe informimit për të mësuar e zbatuar sjellje të shëndosha.

Gjatë një vizite në shkollën “Sami Frashëri”, ku diskutohej tema “Edukimi seksual në shkolla”, ministrja Arbërie Nagavci ka theksuar se kjo është një temë e rëndësishme, sepse sot nxënësit kanë qasje pa fund në përmbajtje dhe informacione lidhur me shëndetin seksual, të cilat jo gjithmonë paraqiten në mënyra të përshtatshme për moshën dhe të kuptuarit e fëmijës.

“Mirëmbajtja e shëndetit është pjesa më qenësore e jetës sonë, ku shëndeti i fëmijëve dhe të rinjve tanë ka vend të veçantë. Në Kosovë edukimi gjithëpërfshirës seksual është pjesë përbërëse e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës”, është shprehur ministrja Nagavci.

Ministrja po ashtu ka thënë se, duke e parë nevojën që ka edukimi shëndetësor në formimin e një shoqërie të shëndoshë, MAShTI ka krijuar politika të përshtatshme për edukimin e të rinjve përmes një sërë dokumentesh, hartimit të doracakëve dhe organizimit të trajnimeve me mësimdhënës në të gjitha komunat e Kosovës.

“Fëmijët dhe adoleshentët meritojnë të kenë informata të sakta në aspektin mjekësor, shkencor, fiziologjik dhe psikologjik. Vetëm kështu i përgatisim si duhet për të ardhmen”, ka thënë Nagavci.

Ministrja Nagavci ka përgëzuar grupin punues ndërsektorial dhe UNFPA-n, për hartimin e 3 doracakëve ndihmës për mësimdhënës për nivelin 1-5, nivelin 6-9, si dhe nivelin 10-12, duke shtuar se, Ministria e Arsimit mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të fëmijëve në institucionet arsimore.

Shefja e UNFPA-së, Visare Mujko Nimani ka thënë se, MAShTI është ministria e parë në rajon që me sukses e ka trajtuar çështjen e edukimit seksual dhe e ka futur si lëndë mësimore në shkolla, prandaj edhe po merret si model në rajon.

Last modified: 11 Tetor, 2023

Comments are closed.