MASHT

Në Ditën e Mësuesit, ministri Bajrami ndau çmimin “Shaban Jashari” për mësuesin e dalluar të vitit

6 Maj, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka dhënë sot çmimin vjetor “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar të vitit, i cili këtë vit i është ndarë z. Mallzum Qejanit nga Gjimnazi “Dardania” të Hanit të Elezit. Ky çmim është ndarë për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira. Gjithashtu, ministri ndau mirënjohje edhe për 25 mësuesit më të dalluar nëpër komunat e Kosovës.

Këto mirënjohje u ndanë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, nga ku ministri Bajrami uroi mësimdhënësit në gjithë Kosovën për këtë ditë të veçantë.

Duke kujtuar rolin historik të mësimdhënësve, ministri Bajrami tha se, arsimi ishte sfera më e rëndësishme e mbijetesës kombëtare. “Ne kujtojmë rolin historik që kanë pasur mësimdhënësit e të gjitha niveleve në këto dy dekadat e fundit, kur mësimdhënësit e kanë mbajtur gjallë shpresën e lirisë, të pavarësisë dhe pikërisht ishte arsimi sfera më e rëndësishme e mbijetesës kombëtare që tregoi vitalitetin e popullit të Kosovës, rinisë dhe mësuesve të Kosovës për të kaluar sfidat me të cilat u ballafaquam dhe për të ndërtuar një të sotme, ku roli i mësuesit është një rol i respektuar nga shoqëria”.

Duke shprehur të gjitha konsideratat shtetërore për rolin e mësuesit dhe arsimtarit në shoqërinë kosovare, ministri Bajrami tha se, ne sot jemi të përkushtuar që Kosovës t’i ofrojmë një arsim cilësor, një arsim të niveleve sa më të larta, sepse rinia jonë meriton një mësimdhënie moderne.

“Vetëm një shtet dhe një qeveri, e cila investon në arsim dhe në mësimdhënës, e ka të ardhmen e sigurt”, tha ministri Bajrami dhe theksoi se është duke u punuar me të gjitha kapacitetet shtetërore, me të gjitha potencialet profesionale që të rinjve tanë t’i ofrohet një arsim cilësor për të zënë hapin me shtetet e Bashkimit Evropian.

Mësuesi i cili mori çmimin “Shaban Jashari”, Mallzum Qajani, tha se ndihet i nderuar që iu nda ky çmim me këtë emër të madh të mësuesit Shaban Jashari. Ai theksoi se rrugëtimi i arsimit shqip ishte i vështirë dhe përmendi qëndresën heroike të arsimtarëve.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.