MASHT

NAGAVCI: PJESËMARRJA E VAJZAVE NË TIK NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS KA TEJKALUAR NIVELET E BASHKIMIT EVROPIAN

24 Shkurt, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në panelin e konsultimeve nënrajonale on-line për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, me temën: Digjitalizimi i përgjegjshëm gjinor për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave për të mbështetur adresimin e boshllëqeve digjitale gjinore në kontekstin e punësimit, që u mbajt në kuadër të sesionit të 67 të Komisionit të OKB-së për Statusin e Grave (CSW).

Ministrja Arbërie Nagavci, në fjalimin e saj e ka vënë theksin te politikat e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen financiare të vajzave/grave që studiojnë në fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhineri e matematikë), me qëllim të përshtatjes me trendin global për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror e ekonomik dhe promovim të barazisë gjinore në digjitalizim.

Nagavci ka vlerësuar se, intervenimet e deritashme në Kosovë kanë filluar të sjellin rezultate, duke e ndërlidhur atë me pjesëmarrjen e vajzave/grave në TIK në Universitetin e Prishtinës në mbi 50%, krahas pjesëmarrjes prej 17% në Bashkimin Europian.

Nagavci ka thënë se, bazuar në përvojat e viteve të kaluara si pasojë e pandemisë COVID-19, por edhe në përputhje me trendet globale, Ministria e Arsimit është duke i kushtuar rëndësi të posaçme përdorimit të teknologjisë digjitale dhe investimeve në pajisjen e shkollave me teknologji, ku vetëm për vitin 2023 janë ndarë 6,5 milion euro.

Ndër të tjera, Nagavci ka thënë se, për ta shtyrë përpara këtë agjendë ambicioze, puna në këtë drejtim fokusohet në 4 shtylla kryesore: Inkurajimin specifik për pjesëmarrjen e vajzave/grave në skemat e mbështetjes që MASHTI ofron; futjen e politikave të reja që targetojnë specifikisht vajzat/gratë; ofrimin e rrjetëzimit dhe përkrahjes sociale për vajzat/gratë në hapësirën digjitale dhe rritjen e pjesëmarrjes së vajzave/grave në fushën digjitale apo edhe STEM me rol-modele grash të sukseshme në këto fusha.

Last modified: 24 Shkurt, 2023

Comments are closed.