MASHT

MINISTRJA NAGAVCI VIZITON QENDRËN E HOLOKAUSTIT NË IZRAEL, NËNSHKRUAN MARRËVESHJE ME KRYETARIN DANI DAYAN

27 Tetor, 2022

Gjatë vizitës së saj të parë në Izrael, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vizituar Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit, Yad Vashem, ku është pritur nga kryetari i kësaj Qendre, Dani Dayan.

Me këtë rast, ministrja Nagavci bashkë me kryetarin e Qendrës Botërore për Përkujtimin e Holokaustit kanë potencuar gatishmerinë për të filluar zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më parë në fushën e edukimit, për trajnimin e mësimdhënësve të historisë për çështjen e Holokaustit.

Po ashtu kanë nënshkruar marrëveshjen për arkivat me qëllim bashkëpunimin në këtë fushë si shkëmbimin e profesionistëve dhe dokumenteve në mes të Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Yad Vashem.

Ministrja Nagavci shtoi se prania jonë e përhershme diplomatike në Jerusalem do të përfaqësojë jo vetëm interesin e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, por edhe një dimension moral të lidhjes emocionale që ka nga e kaluara.

Ministrja Nagavci theksoi se populli i Kosovës dhe Izraelit kanë një lidhje të veçantë që daton që nga historia e Holokaustit.

Me këtë rast tha se, Republika e Kosovës i kushton respekt të thellë marrëdhënieve të dy vendeve, lidhjes së veçantë historike dhe historisë së popullit hebre që ka shumë ngjashmëri me popullin e Kosovës sa i përket vuajtjeve si kombe.

Ministrja Nagavci e ka informuar kryetarin e Yad Vashem se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ta kalojë edhe në Parlament miratimin e përkufizimit të punës së IHRA-s për antisemitizmin.

Nagavci ka theksuar se Kosova me prezencën e saj në Izrael, ka një vizion të qartë për ta transformuar miqësinë shumëvjeçare në një bashkëpunim konkret.

Në këtë drejtim, tha se jemi të interesuar të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi ndërmjet Yad Vashem dhe institucioneve kosovare, duke ndarë fakte historike që dëshmojnë aktet fisnike të popullit shqiptar për shpëtimin e jetëve hebrenje.

Ndër të tjera, ministrja e informoi Dayan se Kosova së shpejti do ta ketë Qendrën e saj Kulturore Hebraike në qytetin historik të Prizrenit.

Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu një turne me guidë në Muzeun Historik të Holokaustit, një ceremoni përkujtimore në Sallën e Përkujtimit, si dhe vizita në Memorialin e Fëmijëve dhe nënshkrimi në librin e mysafirëve.

Last modified: 27 Tetor, 2022

Comments are closed.