MASHT

MINISTRJA NAGAVCI VIZITOI UNIVERSITETIN “ISA BOLETINI” NË MITROVICË

20 Shkurt, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavaci, bashkë me zëvendësministrin, Taulant Kelmendi dhe shefin e stafit, Muhedin Nushi, kanë vizituar sot Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, me ç’rast janë pritur nga ushtruesja e detyrës së rektores, Nurtene Deva, Këshilli Drejtues i Universitetit, sekretari i UMIB dhe dekanët e fakulteteve.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka theksuar se, ky takim realizohet në vazhdën e vizitave në universitetet publike të Kosovës, për të bashkëbiseduar për ecurinë e proceseve, punët dhe sfidat me të cilat ballafaqohen, por mbi të gjitha për t’i dëgjuar rekomandimet apo propozimet e tyre, të cilat shërbejnë në hartimin e politikave arsimore.

Ministrja Nagavci foli edhe për punën që është bërë në finalizmin e legjislacionit, i cili rregullon funksionimin e sistemit të arsimit të lartë, Planin Strategjik të Arsimit 2022-26, i cili tregon orientimet shtetërore në raport me arsimin e lartë, si dhe miratimin e Udhëzuesit për financimin e universiteteve publike bazuar në performancë.

Ministrja Nagavci tha se, është bërë një punë intensive në lidhje me profilizimin e universiteteve regjionale, me qëllim të tejkalimit të problemeve të cilat janë identifikuar dhe përmirësimit të cilësisë së programeve, të cilat ofrohen nga këto universitete. Ndër të tjera, tha se mirëpret bashkëpunimin me universitetet regjionale, me synimin që të ofrohet mbështetje e plotë për programet të cilat janë me interes shtetëror dhe për profilet e kërkuara nga tregu i punës.

Ud, Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Nurtene Deva falënderoi ministren për viziten, ndërsa vlerësoi kontributin e të gjithë atyre që kanë themeluar dhe ngritur këtë Universitet.

Last modified: 29 Shkurt, 2024