MASHT

MINISTRJA NAGAVCI VIZITOI SHKOLLËN “ABDULLAH KRASHNICA-PRESHEVA” NË KORETIN

12 Janar, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vizituar sot shkollën fillore të mesme të ulët “Abdullah Krashnica- Presheva” në Koretin të Kamenicës, në ambientet e së cilës u promovua libri “strip comic” i titulluar “Air Guardian” nga autorët Ana Krasniqi dhe Edvin Susuri, ndërsa pa nga afër ecurinë e punimeve në ndërtimin çerdhës dhe palestrës sportive të cilat janë afër finalizmit.

Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, është kënaqësi që gjendet në këtë institucion arsimor i cili edukon brezat e ri, ndërsa shtoi se Ministria e Arsimit është e përkushtuar dhe ka në fokus të punës përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ministrja Nagavci theksoi se, është zgjedhur kjo shkollë për të zhvilluar këtë vizitë dhe për të parë se edhe në shkollat të cilat janë larg qendrës bëhet një punë e jashtëzakonshme e stafit të shkollës dhe nxënësve, në aspektin e mbrojtjes së ambientit dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore për rëndësinë e kësaj çështje.

Nagavci ka inkurajuar autorët, Anën dhe Edvinin, që ta vazhdojnë punën e tyre kreative me libra dhe personazhe të reja, gjithnjë duke i shërbyer kauzave të rëndësishme, ndërsa ftoi mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollës, që të gjitha kërkesat e tyre t’i adresojnë, për zhvillimin sa më cilësor të procesit mësimor.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund tha se shteti i tij është i përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit, ndërsa u shpreh i befasuar për punën e mirë që është bërë në këtë shkollë në aspektin e mbrojtjes së ambientit.

Për rëndësinë e ngritjes së vetëdijes shoqërore sa i përket mbrojtjes së mjedisit foli edhe kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimaj. Ai përgëzoi autorët për punën kreative në realizimin e librit.

Ndërsa, autorët Ana dhe Edvini u shprehën të lumtur që ishin pjesë e këtij projekti, ndërsa për librin thanë se presin që të ju shërbejë qytetarëve në ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit.

Promovimi i librit “strip comic” të titulluar “Air Guardian” nga autorët Ana Krasniqi dhe Edvin Susuri është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe ambasada e Suedisë në Kosovë.

Palestra sportive në Koretin është investim i Ministrisë së Arsimit në vlerë mbi 300 mijë euro, ndërsa ndërtimi i çerdhës i cili po ashtu është investim i MAShTI arrin vlerën mbi 700 mijë euro.

Last modified: 29 Shkurt, 2024

Comments are closed.