MASHT

MINISTRJA NAGAVCI VIZITOI FËMIJËT E SHTRIRË NË KLINIKËN E PEDIATRISË NË QKUK

29 Shtator, 2021

29 Shtator 2021

Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin te fëmijët, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësministren Edona Maloku Bërdyna dhe përfaqësues të CARITAS-it zviceran kanë vizituar fëmijët që po trajtohen në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në këtë vizitë, Ministrja është pritur nga drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajqevci dhe stafi mjekësor, me të cilët ka biseduar për kushtet e trajtimit që ofron kjo klinikë.


 
Me këtë rast, fëmijëve u janë shpërndarë dhurata dhe ata janë argëtuar nga maskota që kanë paraqitur personazhe të dashura nga filma të njohur për fëmijët.
 
Ministrja Nagavci premtoi se do të angazhohet maksimalisht bashkë me akterë të tjerë për gjetjen e një zgjidhje më të mirë, që fëmijët, të cilët trajtohen nga sëmundja e kancerit, të mos mbeten prapa edhe në mësime.
 
Ministrja propozoi që të angazhohen edhe mësimdhënësit dhe nxënësit nga shkollat në ofrimin e aktiviteteve të ndryshme për këta fëmijë, por theksoi se duhet parë edhe mundësia për krijimin e një qendre në Pediatri që mund të ofrojë shërbime arsimore dhe argëtuese për fëmijët e shtrirë në këtë klinikë.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.