MASHT

MINISTRJA NAGAVCI TAKOI EKSPERTEN E ENQA-S, MARIA WEBER

31 Maj, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot në takim drejtoreshën për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Agjencisë Austriake të Akreditimit, Maria Weber, e cila është njëkohësisht eksperte kryesore e ENQA-s, me të cilën ka diskutuar për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, përmirësimin e infrastrtukturës ligjore dhe punën intensive për kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR, dy mekanizma evropian të rëndësishëm në fushën e arsimit.

Në këtë takim në të cilin ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i AKA-së, Naim Gashi, ministrja Nagavci tha se Projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim i cili ndodhet në Kuvend është një ndër projektligjet më të rëndësishme, pasi me këtë projektligj është paraparë pavarësia e AKA-së dhe sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi edhe mbështetjen e studentëve me bursa, veçanërisht përkrahjen financiare për vajzat që studiojnë në fushat e STEM, ndërsa bëri të ditur se pjesëmarrja e vajzave dhe grave në Kosovë në këto drejtime është më e madhe se në vendet e rajonit dhe Evropës.

Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Agjencisë Austriake të Akreditimit, Maria Weber foli për vizitat në dy universitete publike dhe dy kolegje private në Kosovë dhe punën e AKA-së si institucion i pavarur, përgjegjës për sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë në Republikën e Kosovës.

Last modified: 31 Maj, 2023

Comments are closed.