Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, me rastin e ceremonisë përmbyllëse të projektit YES (Rinia, Punësimi dhe Shkathtësitë), të organizatës GIZ ka folur për pikat e programit të Qeverisë për sektorin e arsimit, përkatësisht Arsimit dhe Aftësimit Profesional.
Duke shprehur përkushtimin për bashkëpunim me partnerët zhvillimor edhe në të ardhmen, Nagavci tha se tregu i punës në Kosovë ka nevojë për profesionistë të fushave të ndryshme, ndaj programi arsimor do të jetë i harmonizuar me tregun e punës.
Ministrja Nagavci theksoi se, për më shumë se katër vite është punuar në projektin YES (Rinia, Punësimi dhe Shkathtësitë), projekt i fokusuar në rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat në Arsimin dhe Aftësimin Profesional, si dhe përmirësimin e cilësisë në mësimdhënie.
Ndër të tjera, ajo foli edhe për zhvillimin e programeve të trajnimit për mësimdhënës, rishikimin e kurrikulës bazë për klasën e dhjetë dhe krijimin e skemës së praktikës në kompanitë e shitjes me pakicë, që kanë kërkesë të lartë për punësim.
Duke falënderuar GIZ për punën dhe bashkëpunimin ndër vite, ministrja shprehu mbështetjen e tranizicionit në shkolla, në programin për zbulimin e mundësive të punësimit, në përmirësimin e kapaciteteve të sistemit të Arsimit Profesional, në dixhitalizimin e materialit mësimor për mësim të përzier në disa profile, si dhe në zhvillimin e një koncepti për një platformë unike të mësimit elektronik për Kosovën.
Ndërkaq, Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörg Rohde tha se Gjermania e ka mbështetur Kosovën në përmirësimin e trajnimit dhe aftësimit profesional për t’i përmbushur nevojat e tregut të punës. Sipas tij, në këtë aspekt janë arritur suksese të shumta. Ai tha se një numër i madh i kompanive janë përfshirë në këtë projekt, në krijimin e profileve të ndryshme për zanate të caktuara profesionale.
Ambasadori Rohde ka premtuar se Gjermania edhe më tutje do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët kosovarë në promovimin e punësimit në Kosovë.
Ndryshe, projekti YES u është drejtuar të gjitha shkollave të AAP-së, për të emëruar mësuesit për mësimin në distancë, ku 78 mësimdhënës u trajnuan për sigurimin e këshillave ad hoc në lidhje me mësimin në distancë.
Last modified: 8 Qershor, 2022