MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PRITI NJË DELEGACION NGA UNIVERSITETI I IOWA-S VERIORE

23 Maj, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot një delegacion nga Universiteti i IOWA-s Veriore, të prirë nga presidenti i këtij Universiteti, Mark Nook.

Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Kosovës dhe IOWA-s, si dhe për vazhdimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar në vitin 2017, i cili ka përfunduar në mars të vitit 2022.

Ministrja Nagavci falënderoi delegacionin për vizitën dhe për bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me shtetin mik IOWA në shumë fusha të jetës, e veçanërisht në fushën e arsimit të lartë.

Ministrja Nagavci, i informoi mysafirët për gjendjen në arsimin e lartë dhe për politikat qeveritare për të rritur rezultatet në arsim. Po ashtu, ministrja foli edhe për mbështetjen financiare që ndahet nga Ministria për studentët, veçanërisht për vajzat që studiojnë në fushat STEM.

Ministrja e vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me këtë universitet amerikan, pasi që theksoi se është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë tanë, të cilët pas studimeve sjellin eksperiencën e tyre në Kosovë.

Presidenti i Universitetit, Mark Nook, shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në disa segmente, e veçanërisht në mbështetjen e studentëve nga Kosova që duan të studiojnë në Universitetin e IOWA-s Veriore dhe anasjelltas.

Last modified: 23 Maj, 2023

Comments are closed.