MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PRITI NË TAKIM SHEFIN E OSBE-SË, MICHAEL DAVENPORT

21 Mars, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci priti në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Michael Davenport.

Ministrja Nagavci falënderoi Ambasadorin Davenport për kontributin që OSBE ka dhënë për shumë vite në Kosovë në fushën e arsimit, si një partner shumë i rëndësishëm në realizmin e projekteve të ndryshme për arsimimin e komunitetit ashkali, rom, egjiptian dhe projekte tjera të rëndësishme për gjithpërfshirjen dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Duke folur për mbështetjen e Qendrave Mësimore, ministrja Nagavci theksoi se janë subvencionuar 200 mijë euro për këto qendra në vitin 2022, ndërsa në vitin 2021 janë shpenzuar 157 mijë euro, nga 200 mijë sa kanë qenë të ndara.

Ministrja po ashtu bëri të ditur se, MAShTI vitin e kaluar ka ndarë 300 mijë euro për nxënësit e këtyre tri komuniteteve, për lehtësimin e ndjekjes së mësimit, ndërsa janë ndarë mjete për 100 bursa për studentët e këtyre komuniteteve të regjistruar në universitetet, mirëpo kanë përfituar vetëm 24 për shkak se nuk ka pasur më shumë aplikime.

Për fushat kryesore, në të cilat misioni i OSBE-së është i fokusuar foli ambasadori Davenport. Ai e falënderoi ministren Nagavci për gatishmërinë për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme, ndërsa theksoi edhe njëherë mbështetjen e OSBE-së për sistemin e arsimit në Kosovë.

Ministrja Nagavci dhe Ambasadori Davenport u pajtuan që të identifikojnë fusha dhe projekte të tjera, në të cilat mund të punojnë së bashku, në mënyrë që t’u shërbejnë nxënësve, studentëve dhe komunitetit në përgjithësi.

Ambasadori Davenport ia prezantoi ministres Nagavci raportin e Qendrave Mësimore në Kosovë dhe Zbatimit të Udhëzimit Administrativ 19/2018, të hartuar nga OSBE.

Ndryshe, në sistemin arsimor parauniversitar të Kosovës janë të integruar 22 mësimdhënës të komuniteteve ashkalinj, rom dhe egjiptian. 35 nxënës janë të regjistruar në nivelin parashkollor, ndërsa në arsimin fillor dhe të mesëm janë të përfshirë 5 mijë e 772 nxënës.

Last modified: 21 Mars, 2023

Comments are closed.