MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PRITI NË TAKIM NJË DELEGACION NGA LICHTENSTEIN TË KRYESUAR NGA MINISTRJA DOMINIQUE HASLER

5 Tetor, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur sot në takim një delegacion nga Lichtenstein, të kryesuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit, Dominique Hasler, me të cilën ka diskutuar për çështje të rëndësishme në arsim, me theks të veçantë edukimin në fëmijërinë e hershme.

Pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësues të Caritas-it zviceran në Lucern dhe zyrës në Kosovë, organizatë e cila ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm përmes financimit shumëvjeçar në edukimin e hershëm.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka falënderuar Qeverinë zvicerane dhe Caritas-in zviceran për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, përmes projekteve të shumta dhe së fundi projektin TAKE në fushën e Edukimit të Hershëm, i cili do të realizohet gjatë tri viteve të ardhshme.

Projekti TAKE ka për qëllim ngritjen e cilësisë në edukimin e hershëm dhe bashkëpunimin e ngushtë në mes të profesorëve, studentëve, edukatorëve dhe prindërve.

Ministrja Nagavci ka informuar të pranishmit se, edukimi i hershëm është një nga prioritetet e programit qeverisës dhe gjithashtu është objektivi i parë i Strategjisë së Arsimit 2022/2026.

Nagavci gjithashtu tha se është ndarë buxheti prej 5 milion euro për ndërtimin e çerdheve, të cilat do të ndihmojnë në krijimin e infrastrukturës së përshtatshme për moshën e fëmijëve 0-6.

Digjitalizimi i sistemit të arsimit, po ashtu u cilësua si një segment tjetër i rëndësishëm sa i përket përmirësimit të shërbimeve dhe cilësisë në arsim, në përputhje me trendet e transformimit digjital.

Ministrja Hasler ka shprehur interesimin e saj për të vazhduar me punë e projekte të përbashkëta dhe ka falënderuar ministren Nagavci për gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen.

Pas takimit, ministrja Hasler bashkë me zyrtarë të lartë të MAShTI dhe zyrtarë të Caritas-it zviceran kanë vizituar Klinikën e Pediatrisë, për të parë nga afër zbatimin e projektit të ri të TAKE.

Last modified: 5 Tetor, 2022

Comments are closed.