MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PRITI DISA MËSIMDHËNËS SHQIPTARË NË SUEDI

24 Shkurt, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot një delegacion të përfaqësuesve të Lidhjes së Shoqatave Shqiptare “Iliria” në Suedi dhe mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Në këtë takim, është biseduar për bashkërendim të aktiviteteve me interes të përbashkët, veçanërisht aktivitete mes nxënësve tanë dhe atyre që jetojnë në diasporë, por edhe për Konferencën e mësuesve të gjuhës amtare në Suedi, e cila do të mbahet më 28 dhe 29 maj, si dhe për aktivitetin kulturor “Shqiptarët e Suedisë në Kosove”, i cili do mbahet në Prishtinë me 25 korrik 2022.   Ministrja Nagavci falënderoi mësimdhënësit e mësimit në gjuhën shqipe në Suedi, por edhe në vende të tjera, për përkushtimin dhe vendosmërinë që ta avancojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë.   Duke folur për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare nga fëmijët tanë kudo që jetojnë, ministrja Nagavci ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për ta mbështetur mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë.   Ministrja Nagavci tha se duhet të punojmë bashkë për të ruajtur lidhjen e shqiptarëve kudo që jetojnë me vendin amë, sepse kjo është në interes të dyanshëm. Në këtë takim u bisedua edhe për nevojën e teksteve për diasporën, për të cilën Ministrja përmendi punën e përbashkët me Shqipërinë që po bëhet në këtë drejtim, e që si rezultat tashmë kemi edhe tekstin e parë “ Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” (niveli I). Në emër të mësimdhënësve, Murat Koci falënderoi ministren Nagavci, ndërsa theksoi se me punë të përbashkët do të mund t’u japin mundësinë fëmijëve shqiptarë të mbajnë lidhjen me vendet e tyre përmes njohjes së gjuhës dhe kulturës.   Në Suedi, aktualisht ka rreth 10 mijë nxënës shqiptarë, nga të cilët 6 mijë ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, të integruar brenda sistemit suedez të arsimit.

Last modified: 17 Maj, 2022

Comments are closed.