Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci priti në takim ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, znj. Shpresa Jusufi, me të cilën bisedoi për gjendjen në arsim në të dyja vendet.
Në këtë takim u theksua nevoja e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit dhe shkëmbimi i përvojave në procese të rëndësishme, veçanërisht në procesin e digjitalizimit të arsimit, ku Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë hapat e parë.
Ministrja Nagavci foli për planin qeveritar që synon zhvillimin dhe avancimin e arsimit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtarë në këtë drejtim, sidomos bashkëpunimin me shtete e rajonit.
Ambasadorja Jusufi uroi Ministren për detyrën në krye të dikasterit të arsimit dhe shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar në intensifikimin e bashkëpunimit në shumë segmente dhe në të gjitha nivelet.
Ministrja Nagavci dhe ambasadorja Jusufi folën edhe për Marrëveshjen e Bashkëpunimit të vitit 2015 për bashkëpunim në arsim, në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e cila nuk është funksionalizuar për shkak të mos krijimit të bazës ligjore.
Last modified: 7 Qershor, 2022