MASHT

MINISTRJA NAGAVCI PREMTON PËRKRAHJE INSTITUCIONALE PËR MËSIM TË MIRËFILLTË PLOTËSUES NË DIASPORË

23 Qershor, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në takimin e mësuesëve në diasporë, i cili po mbahet në Tiranë, i organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD), në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën të Republikës së Shqipërisë. Pjesëmarrja e ministres Nagavci u realizua përmes platformës online.

Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i arritjeve dhe problematikat lidhur me mësimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e kulturës shqiptare në diasporë, sfidat dhe mësimin në distancë gjatë periudhës së pandemisë, përvojat në përdorimin e platformave digjitale, sigurimi i teksteve mësimore dhe literaturës së nevojshme për mësimin e gjuhës shqipe.

Ministrja Nagavci e vlerësoi lartë organizimin e këtij takimi, duke thënë se, të gjithë bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës dhe kanë krijuar familje atje duhet tu ofrojmë kushte për mësim të mirëfilltë plotësues në gjuhën shqipe.

Ministrja Nagavci po ashtu tha se diaspora shqiptare ka arritur të ruaj gjuhën, kulturën dhe lidhjen me vendin e origjinës dhe po ashtu ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm edhe në ngritjen e ekonomisë vendore.

Ndër të tjera, Ministrja foli edhe për Kurrikulën e përbashkët për mësimin plotësues në diasporë, procesin e zhvillimit të dorëshkrimeve për tekstet e reja për nivelin e parë (klasa 1-3), të cilat priten të dorëzohen në korrik 2021 në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës dhe aktivitete të tjera të përbashkëta, me qëllim ngritjen e nivelit të cilësisë së mësimdhënies dhe mësim nxënies në diasporë.

Ministri i Shtetit për Diasporën i Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko tha se po punohet shumë që viti i ardhshëm shkollor të fillojë me tekste të reja për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi tha se identiteti kombëtarë që ruan mërgata është detyrë, prandaj mirënjohje pafund për mësimdhënësit tanë të cilët kanë mbi supe këtë mision të vështirë.

Zv/ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Liza Gashi tha se do të punohet në realizmin e financimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, pasi komponenta e financimit është shumë e rëndësishme në realizmin e mirëfilltë të mësimit.

Në takim morën pjesë edhe Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Mimoza, Hysa-Çuliqi, Anila Ferizaj nga Komisioni i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën dhe Vaxhis Sejdiu nga Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.