MASHT

Ministrja Nagavci po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Shkencë dhe Teknologji, në Kyoto të Japonisë

2 Tetor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me ftesë të ministres së Shtetit për Politika të Shkencës dhe Teknologjisë në Japoni, Takachi Sanae, është duke marrë pjesë në Forumin e 20-të Ndërkombëtar për Shkencë dhe Teknologji (STS 2023).

Tryeza Ministrore 2023 shtjellon konceptin e shkencës dhe teknologjisë, si shtyllat më të forta rreth të cilave ndërtohet dhe zhvillohet sistemi arsimor i vendit.

Ministrja Nagavci në fjalën e saj drejtuar pjesëmarrësve të këtij Forumi, ku po marrin pjesë 23 vende të botës ka thënë se, ndarja e praktikave në fushën e shkencës dhe teknologjisë ka vlerë të madhe për Republikën tonë të re dhe për avancimin e sistemit arsimor, duke ndjekur praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara.

Ministrja Nagavci po ashtu ka theksuar rëndësinë që politikat arsimore në Kosovë i japin krijimit të mundësive të hapura për hulumtime shkencore dhe mobilitet të kapaciteteve kërkimore, që përkrahin të rinjtë e të rejat me fokus në fushat STEM.

Ndër të tjera, Nagavci ka thënë se, Kosova ka një rini të talentuar dhe të motivuar, me shkathtësi teknologjike e digjitale të përputhshme me nevojat e kohës, një rini që meriton t’i ketë rrugët e hapura për të shpalosur e zhvilluar talentin e vet, krahas bashkëmoshatarëve të tyre kudo në botë.

Ministrja Arbërie Nagavci, në kuadër të vizitës në Japoni është takuar edhe me Presidenten e Universitetit të Arteve në Kyoto, Sakiko Yoshikawa, me të cilën ka biseduar për rëndësinë e artit në kulturën e një kombi dhe dimensionet e gjera që ka marrë kjo fushë sot, duke prekur pozitivisht shumë arterie të jetës.

Nagavci me kërë rast ka theksuar gadishmërinë e Kosovës për bashkëpunim me shtetin e Japonisë në fushën e arsimit të lartë përmes mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, në mënyrë që të ngriten ura të forta lidhëse mes kapaciteteve intelektuale të dyanshme.

Last modified: 11 Nëntor, 2023

Comments are closed.