MASHT

Ministrja Nagavci ndanë çmimet për fitueset e Garës Kangaroo

18 Qershor, 2022

Instituti ATOMI ka organizuar Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë (MKC-K), në të cilin kanë marrë pjesë mbi 2500 nxënës të klasëve të ndryshme nga tërë vendi, ndërsa me rastin e ndarjes së certifikatave të suksesit për këta nxënës dhe ndarjes së çmimeve për fitueset e Garës, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka mbajtur një fjalë rasti.

Earta Kasumi ishte fituesja e vendit të parë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në Garën Kangaroo 2022, Dina Maliqi zuri vendin e dytë, ndërsa Alba Pllana doli në vendin e tretë.

Ministrja Nagavci ka theksuar se, nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti e talente janë ndër asetet më të çmuara dhe më me vlerë shtetërore.

Nagavci ka vlerësuar se, garat e këtij formati janë në të njëjtën kohë edhe mënyra më e mirë për identifikimin e talenteve të fushave të ndryshme edhe motivuese e nxitëse që nxënësit me këto talente të investojnë në talentin e tyre dhe ta shpërfaqin atë, sidomos nëse më të mirët dhe më të suksesshmit e këtyre garave shpërblehen, përkrahen dhe mbështeten në forma të ndryshme dhe të përshtatshme.

Ministrja Nagavci ka theksuar përkushtimin e Ministrisë së Arsimit për të mbështetur institucionet arsimore, OJQ-të profesionale dhe entitet e ndryshme që merren me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me aftësi të jashtëzakonshme.

Ajo ka bërë të ditur se, MAShTI tashmë për çdo vit subvencionon organizatat e specializuara që merren me trajtimin e këtyre fëmijëve, pasi një talent në çfarëdo disipline, do të zhvillohet plotësisht vetëm nëse mbështetet në formën më të mirë të mundshme.

Gara Kangaroo është gara më e popullarizuar në botë për fushën e matematikës, e cila organizohet në mbi 70 vende të botës dhe çdo vit marrin pjesë mbi 6 milionë nxënës nga mbarë bota.

Last modified: 18 Qershor, 2022