MASHT

Marrëveshje Bashkëpunimi për lehtësim të procedurave për regjistrim të studentëve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

20 Qershor, 2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, për lehtësimin e procedurave të pranimit të studentëve në institucionet e arsimit të lartë, në të dy vendet respektive.

Me këtë Marrëveshje hiqen të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë në dy vendet tona dhe ofrohen mundësi të barabarta për të gjithë të rinjtë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria që të aplikojnë në 19 universitetet publike të vendeve tona.

Përveç që rriten mundësitë për përzgjedhje të institucionit dhe programit të studimeve, sipas Marrëveshjes, të rinjtë tanë do të mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi që nga ky vit akademik, pasi që u nënshkrua në prag të afateve për regjistrim në institucionet e arsimit të lartë.

Bashkëpunimi i përcaktuar me këtë Marrëveshje do të zbatohet në pajtim me legjislacionin në fuqi të të dy vendeve, si dhe sipas parimeve dhe standardeve ndërkombëtare të njohjes së diplomave, përcaktuar në dokumentet, marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare, anëtare të së cilave janë të dy ministritë.

Në emër të MAShTI, marrëveshja është nënshkruar nga zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Last modified: 20 Qershor, 2022

Comments are closed.