Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në prezantimin e Platformës për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK).
Gjatë prezantimit të kësaj Platforme, kryetari i ASHAK, akademik Mehmet Kraja shprehu shqetësim se gjendja në arsim është shumë e rëndë që nga çerdhet e deri tek arsimi i lartë, derisa përmendi politizimin e thellë në këtë sektor.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj tha se, pajtohet me konstatimin e akademik Krajes derisa e bëri të qartë se shumica e rekomandimeve të dhëna në raportin e ASHAK dhe shqetësimet që u ngritën në këtë prezantim, tashmë veçse janë adresuar në programin qeverisës.
Ministrja tha se, është e vetëdijshme për degradimin e arsimit nga ndërhyrjet kryesisht partiake e për interesa të ngushta, derisa kërkoi angazhimin e të gjithëve për përmirësimin e kësaj gjendjeje.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se do të merren të gjitha përgjegjësitë, si Ministri dhe si Qeveri, për adresimin e të gjitha problemeve në arsim. Po ashtu, u zotua se nuk do të lejohen ndërhyrjet partiake në arsim.
Last modified: 8 Qershor, 2022