MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË KONGRESIN BOTËROR PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA

8 Dhjetor, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në punimet e Kongresit Botëror për Përsonat me Aftësi të Kufizuara “Bashkë për gjithëpërfshirje dhe prosperitet”, ku po marrin pjesë 31 delegacione nga e gjithë bota, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, ambasadorë dhe personalitete nga organizatat ndërkombëtare e vendore.

Në panelin e parë të Kongresit me temë “Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe përfshirja e tyre në edukim dhe shoqëri”, ministrja Nagavci foli për punën që është bërë në këtë drejtim dhe synimet për vitet në vazhdim, në mënyrë që të përmirësohet gjendja.

Pasi që përmendi faktin se viti 2022, është shpallur nga Qeveria e Kosovës Vit i Personave me aftësi të kufizuar, theksoi se e drejta për arsimim është e drejtë e garantuar dhe gjithëpërfshirja në arsim është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Ministrja tha se Kosova aplikon qasje të integruar në edukim dhe arsim dhe ndër veprimet që janë ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen, përmendi punësimin e 100 asistetëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe ndarjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, për punësimin edhe të 300 të tjerëve.

Po ashtu, ajo theksoi edhe trajnimet dhe mbështetjen profesionale që është ofruar në bashkëpunim me partnerët zhvillimorë për mësimdhënësit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta në klasat e tyre. Kongresi po mbahet nën patronatin e Ambasadores së vullnetit të mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Elvana Shala, ndërsa projekti është mbështetur nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe nga ambasadat që veprojnë në Kosovë.

Last modified: 8 Dhjetor, 2022

Comments are closed.